Bleu gjësende nga koha e Hitlerit dhe ia dhuroi Izraelit

22:34 | 8 Dhjetor 2019

Presidenti i Izraelit Reuven Rivlin është takuar sot me Abdallah Chatila, një tregtar zviceran i pasurive të patundshme me origjinë libaneze, i cili bleu gjësende nga koha e regjimit nazist në një ankand në Gjermani dhe ia dhuroi ato Izraelit.

Sipas AP, Rivlin e quajti gjestin e Chatila “një akt mëshire” dhe “humanizëm të vërtetë”.

Chatila, një i krishterë libanez që ka jetuar në Zvicër për dekada të tëra, pagoi në një ankand  600,000 euro në nëntor në Munih për gjësende nga koha  e Gjermanisë naziste, dhe fillimisht synoi t’i shkatërrojë ato pasi organizata të shumta hebraike kritikuan shitjen e sendeve.

Sidoqoftë, ai vendosi menjëherë pas kësaj, se do të ishte akoma më mirë t’i dhurojë ato për muzeun memorial izraelit Yad Vashem Holocaust, transmeton KosovaPress.

Ndër artikujt që Chatila bleu ishin kapela e Adolf Hitlerit, makina shkrimi e sekretarit të tij dhe një botim special i librit ‘Main Kampf’.

“Ai është personifikimi i së keqes – e keqja për të gjithë, jo vetëm e keqja për hebrenjtë, të krishterët dhe e keqja për njerëzimin. Kjo është arsyeja pse ishte e rëndësishme për mua të vija deri te këto gjësende”, thotë Chatila.

Presidenti Rivlin falënderoi Chatila për dhurimin, duke thënë se rëndësia e tij ishte jashtëzakonisht e rëndësishme në një kohë kur neo-nazizmi dhe përpjekjet për të mohuar Holokaustin ishin në rritje.

AP shton se artikujt e blerë nga Chatila janë akoma në shtëpinë e ankandeve në Munih dhe nuk dihet kur ato do të transferohen në Izrael.