Blerje industriale e votave

Vetëvendosje e vlerëson procesin zgjedhor si proces i blerjeve industriale të votave. Dardan Molliqaj thotë se Vetëvendosje do të dorëzojë padi në Prokurori të Shtetit, por këto shqetësime do të adresohen edhe në PZAP.

Lajme

08/11/2013 12:52

Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media, ka paraqitur sot ato që i ka quajtur manipulimet me vota në këto zgjedhje.

Valmir Ahmeti, drejtues i Departamentit të Mbrojtjes së Votës në Vetëvendosje, ka deklaruar se në këto zgjedhje është bërë manipulimi i quajtur “Treni Bullgar”.

Ai ka shpjeguar se vërehet mospërputhja e fletëvotimeve të pranuara në secilin vendvotim dhe numrit të fletëvotimeve të dorëzuara në fund të procesit.

“Treni Bullgar është manipulim i cili e lehtëson blerjen e votës përmes të cilit manipulim ata të cilët i nxjerrin  fletëvotimet jashtë, i plotësojnë ato fletëvotime dhe ua japin personave të cilëve ua blejnë votën dhe kërkojnë që ato fletëvotime të futen brenda, ndërsa fletëvotimet e rregullta, të vulosura dhe të cilat janë të paplotësuara, nxirren jashtë, në mënyrë që prapë këta t’i plotësojnë dhe t’ia japin dikujt tjetër.

“Pra, me një fletëvotim i cili nxirret prej vendvotimit, personi i cili është i interesuar për blerje të votës, arrin që të blejë disa vota, varësisht prej personave që ka gjetur për të blerë votën”, deklaroi Ahmetaj.

Më pas, janë paraqitur të gjitha të dhënat në secilën Komunë, ku rasti më flagrant, sipas VV, është  Komuna e Prizrenit, pasuar nga Komuna e Gjilanit.

“Në Prizren për Kryetar Komune mungojnë 1987 fletëvotime prej 58 vendvotimeve, ndërsa në 4 vendvotime janë 80 fletëvotime më shumë. Për Asamble Komunale, mungojnë 2276 fletëvotime prej 62 vendvotimeve, në 6 vendvotime janë 117 fletëvotime më shumë”.

“Në Gjilan mungojnë 319 fletëvotime nga 31 vendvotime për Kryetar Komune. Në një vendvotim janë 5 fletëvotime më shumë. Ndërsa për asamble komunale mungojnë 489 fletëvotime nga 40 vendvotime. Në 3 vendvotime janë 140 fletëvotime më shumë. Është me rëndësi të ceket se në Gjilan, për asamble komunale në një vendvotim mungojnë 60 fletëvotime, ndërsa në vendvotimin tjetër janë 58 fletëvotime më shumë. Kjo na bën që të dyshojmë që po të njëjtat vota të vjedhura nga një vendvotim kanë shkuar në vendvotimin tjetër”.

“Në Prishtinë, për Kryetar Komune janë 113 fletëvotime nga 7 vendvotime, ndërsa në 12 vendvotime janë 119 fletëvotime më shumë. Për Asamble Komunale nuk kemi ende të dhëna”.

Pasi u paraqitën këto të dhëna, Dardan Molliqaj tha se ky proces zgjedhor shumë lehtë mund të quhet si “manipulim industrial i blerjes së votave”.

“Procesi i 2013 shumë lehtë, shumë thjeshtë, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të thuhet që kemi të bëjmë me një proces zgjedhor i cili mund të cilësohet me blerje industriale të votës”.

“Kjo tregon që partitë politike në Kosovë, duke mos pasur mundësi që të mobilizojnë votuesin e vet, e kanë blerë aq sa kanë mundur votuesin e vet. Pra, e kanë blerë votën, sepse nuk kanë mundur që ta vjedhin atë”.

Molliqaj tha se përveç që këto të gjetura do të dorëzohen në PZAP, po ashtu do të dorëzohet edhe padia në Prokurorinë e Shtetit.

Ai tha se fillimisht do të paditen kryesuesit dhe komisionerët dhe pas një analize mund të shihet edhe më qartë se cilat subjekte kanë blerë vota.

“Të gjitha këto shkelje përveç që do t’i adresojmë në PZAP, po ashtu sot dhe nesër përfaqësuesit tonë juridikë që janë të Vetëvendosjes janë duke përgatitur padinë dhe do ta dorëzojmë në Prokurorinë e Shtetit, sepse këto janë vepra kriminale”.

Molliqaj gjithashtu tha se në Prishtinë do ta “mbrojnë votën e fitores” dhe tregoi se koalicionet në subjektin e tij vendosen nga vota e drejtpërdrejtë e të gjithë aktivistëve të saj.

“Ne i sigurojmë qytetarët e Prishtinës se siç e kemi mbrojtur votën nga vjedhja, në balotazh do ta mbrojmë votën edhe nga blerja. Vota e Prishtinës do të jetë votë e sigurt dhe në Prishtinë do ta mbrojmë fitoren edhe nga vjedhjet, edhe nga blerjet, edhe nga çdo manipulim tjetër”.