Bjeshkët që ndajnë koalicionet

Lidhën koalicion parazgjedhor në çastet e fundit të afatit ligjor para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Lajme

12/07/2017 10:40

Ndonëse kishin dallime të mëdha, ata vendosën t’i qëndrojnë përkrah njëri-tjetrit në garën zgjedhore. Ishte Kadri Veseli që i bëri ftesë kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj për lidhje të koalicionit. Madje ia dha edhe postin e kryeministrit.

Për këtë post Haradinaj ka shumë nostalgji, që nga koha e 100-ditëshit kur ai e drejtonte qeverinë në koalicion me LDK-në e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Jo shumë larg, deputetë të AAK-së ia mbushën hundët me gaz lotsjellës kreut të Kuvendit Kadri Veseli. Ndaj tyre Veseli u desh të përdorte edhe sigurimin.

Krejt kjo ndodhi për të vetmin qëllim – kundërshtimin e Marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Këtë dallim thelbësor e nisi vetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili Murat Mehës ia përplasi para fytyrës hartën që përcaktonte vijën kufitare me këtë vend fqinjë.

Murat Meha ka qenë kryetar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi.

Të njëjtën gjë e kundërshtonte edhe Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt. Nisma kishte lidhur koalicion me AAK-në, qysh më parë, në kohën kur nuk flitej për zgjedhje.

Tema e Demarkacionit do t’i takojë secilës qeveri që vjen – madje do të jetë prioritet i saj, deshi apo nuk deshi ajo. Kjo marrëveshje lidhet ngushtë me një proces shumë të rëndësishëm – liberalizimin e vizave.

Ky kusht vazhdon të përsëritet nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, PDK-AAK-Nisma lidhën koalicion parazgjedhor.

Bazuar në rezultatet e certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, del se koalicioni PDK-AAK-Nisma, i njohur si koalicioni PAN, i fitoi zgjedhjet. Me kushtetutë, këtij koalicioni i takon mandati për formimin e qeverisë, të cilit i prinë Ramush Haradinaj nga AAK-ja, shkruan Insajderi.

Në kohën kur po flitet se ky koalicion nuk ka deputetë të mjaftueshëm për ta votuar ‘Qeverinë Haradinaj’, ne po kalkulojmë në një situatë hipotetike.

Nëse koalicioni PAN e formon qeverinë, si do të harmonizohen qëndrimet brenda tij, për shkak të qëndrimeve shumë të kundërta ndërmjet tyre.

Në kohën sa PDK-ja ishte në bashkëqeverisje me LDK-në, ajo kategorikisht mendonte se Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi duhet të ratifikohet në Kuvend.

Kjo marrëveshje u arrit në gusht të vitit 2015 dhe është kundërshtuar vazhdimisht nga opozita.

Haradinaj vazhdon të mendojë se Marrëveshja për Demarkacionin është gabimisht. Sipas tij, nëse do të vijë në krye të qeverisë, puna e parë që do ta bëjë është rishqyrtimi i saj. Kështu mendon edhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj.

Por partneri kryesor, PDK-ja, ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim tjetër rreth kësaj çështjeje, përveç asaj që pretendonte gjatë kohës sa ishte në qeverisje me LDK-në.

Dilema tjetër është se PDK-ja mbron qëndrimin që e kanë dhënë ndërkombëtarët lidhur me demarkacionin. Kjo i bie se PDK-ja duhet të zgjedhë mes ruajtjes së raporteve me AAK-në, si partner i qeverisjes, apo t’i ruajë marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

Koalicioni PAN do të ketë edhe dallime tjera

Koalicioni PAN, përveç dallimeve rreth Demarkacionit, qëndrimet brenda partnerëve janë edhe sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (AKS).

Gjithashtu, PDK-ja e mbështeste formimin e tij gjatë kohës sa ishte në qeverisje me LDK-në.

Por partnerët e koalicionit aktual të PAN-it, AAK dhe Nisma, e kanë kundërshtuar kategorikisht, duke thënë se kjo marrëveshje ishte anti-kushtetuese, shkruan Insajderi.

Trysnia ndërkombëtare rreth Asociacionit vazhdon. Por ‘përparësia’ në këtë rast është se ky proces nuk lidhet me liberalizimin e vizave.

Pritet të shihet se si do t’i tejkalojnë dallimet partnerët e koalicionit PAN, në rast të formimit të qeverisë.

Koalicioni i mundshëm LAA-Vetëvendosje – mes dallimeve të mëdha

Diçka e ngjashme e pret edhe koalicionin e mundshëm LAA-Vetëvendosje (LDK-AKR-Alternativa+Vetëvendosje).

Vetëvendosja e cila doli si partia më e votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 11 qershor, e ka theksuar disa herë se nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në. Të njëjtën gjë e kanë thënë edhe partitë e koalicionit LAA.

Megjithatë, marrë për bazë certifikimin e zgjedhjeve parlamentare nga KQZ-ja, atëherë koalicioni PAN nuk i ka deputetët e mjaftueshëm për ta votuar qeverinë e re.

Në bazë të kushtetutës, mandatari i parë për formimin e qeverisë është partia që i ka fituar zgjedhjet, që në këtë rast është koalicioni PAN.

Por Vetëvendosje, qysh pas zgjedhjeve dhe rezultateve preliminare ia nisur negociatat me partitë politike, përjashtuar PDK-në, për të parë mundësinë e krijimit të qeverisë.

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, i ka bërë thirrje publike koalicionit LAA që të ulen dhe të bisedojnë për qeverinë e re. Po ashtu, Kurti u kishte bërë thirrje edhe deputetëve nga koalicioni PAN, por jo PDK-së.

Duke e parë që koalicioni PAN e ka shumë të vështirë t’i sigurojë deputetët e mjaftueshëm, atëherë çështja se kujt i takon mandatari i dytë është bërë tema më e përfolur kohëve të fundit.

Presidenti, si njeriu me kompetent për ta mandatuar formimin e qeverisë, nuk e ka bërë shumë të qartë se nëse dështon PAN kujt do t’ia japë mandatin. Partitë që nuk i fituan zgjedhjet insistojnë që kjo do t’i takojë partisë së dytë, në këtë rast Vetëvendosjes, shkruan Insajderi.

Kjo e fundit ka shprehur interesim që të bashkëqeverisë me koalicionin LAA. Por në një situatë të tillë, edhe ky koalicion i mundshëm do të përballej me dallime të mëdha.

Sërish bjeshkët që ndajnë Kosovën dhe Malin e Zi do të krijojnë ‘telashe’ mes koalicionit.

LDK-ja vazhdimisht e ka mbrojtur qëndrimin se Marrëveshja e Demarkacionit është në rregull. Madje kryeministri në detyrë që vjen nga LDK-ja, kishte themeluar dy komisione për ta verifikuar vijën kufitare, e cila doli e njëjtë në të dy versionet.

Për këtë çështje ishte themeluar edhe një komision ndërkombëtar, duke vlerësuar se puna e komisionit të parë ishte në rregull.

Vetëvendosje disa herë kishte pamundësuar mbajtjen e seancës së Kuvendit ku do të ratifikohej Demarkacioni.

Mes gazit lotsjellës, sigurimit të kuvendit, arrestimeve të deputetëve, madje edhe paraburgime për ta, nuk u arrit qëllimi i qeverisë PDK-LDK.

LDK dhe Vetëvendosje kanë qëndrim të kundërt është për Asociacionin. Gjatë kësaj kohe kur po diskutohet për formimin e mundshëm të koalicionit mes LAA dhe Vetëvendosje, nuk është dhënë ndonjë qëndrim se si do të veprohet për këto dy tema të mëdha dhe jetike për vendim.

Qëndrimet vazhdojnë të mbesin të njëjta.