Bisedojnë në rrafshin kombëtar e fetar

Rexhep Qosja ka pritur në selinë e Institutit Albanologjik imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqin. Ata vlerësuan lartë punën e njëri-tjetrit.

Lajme

08/01/2014 13:19

Akademiku Rexhep Qosja ka pritur sot në një takim, në zyrën e tij në Institutin Albanologjik, Imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.

Qosja, sipas portalit krenaria.com pohohet të ketë vlerësuar lartë punën e palodhshme të Krasniqit si dhe kontributin e tij të çmueshëm për ngritjen e vlerave kombëtare e fetare të popullit tonë.

Edhe Imam Krasniqi thuhet se ka vlerësuar lartë Akademik Qosjen, siç thuhet në këtë portal, për punën e pakrahasueshme që ai ka bërë në fushën e shkencës, dijes dhe vlerave të popullit tonë.

“Në takim është biseduar për sfidat dhe pengesat në rrafshin kombëtar e fetar dhe mundësitë për tejkalimin e tyre”.

“Takimi u përmbyll me urimin që kontaktet mes tyre të jenë të vazhdueshme në frymën e bashkëpunimit pozitiv dhe në shërbim të shkencës, të vërtetës dhe të popullit”.

Imami Shefqet Krasniqi i ka dhuruar Akademik Qosjes librat e tij të botuar deri më tani.