Bisedimet e 23 qershorit kyçe për normalizimin e marrëdhënieve Serbi – Kosovë

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë Dejvid Mekalister ka thënë sot në Beograd që bisedimet e 23 qershorit mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë vendimtare dhe kyçe për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajme

08/06/2015 13:57

“Për tu hapur kapitulli i parë këtë vit duhet që të dyja palët të tregojnë një përparim… dhe rundi i fundit të dialogut në Bruksel do të jetë kyç për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd”, ka thënë Mekalister në Samitin Ekonomik të Serbisë, transmeton lajmi.net

Ai ka nënvizuar se një marrëveshje për veriun e Kosovës do të ishte një përparim shumë i rëndësishëm, dhe marrëveshje e cila më pas do të duhej të zbatohej.

“Edhe Prishtina edhe Beogradi do të duhej të bënin hapat e nevojshëm për normalizimin e raporteve, në mënyrë që të tregojnë kredibilitet dhe përkushtim” ka thënë Mekalister, duke shtuar se ka ende shumë pikëpyetje në shumë çështje.

Ndërsa sipas tij po ashtu një tjetër element kyç për integrimin evropian është bashkëpunimi i ndërsjellë rajonal midis të dyja vendeve.

Një çështje tjetër e cila është shtruar në këtë samit është nëse vendet e Ballkanit perëndimor do të integrohen veç e veç në BE, apo do të pritet një kohë kur do të mund t’i bashkoheshin Bashkimit Evropian të gjithë se bashku.

Shefi i Delegacionit serb në BE Majkëll Davendport ka thënë se kur është fjala për integrimet evropiane çdo vend shikohet në mënyrë të ndarë.

Ai ka thënë se vendi i cili ka përparuar më së shumti sa i përket afërsisë së integrimit në BE është Mali i Zi, ndërsa shpreson që Serbia e cila po vonohet paksa, se shpejti do ta bëjë hapin përparues. (lajmi.net)