Birrat e lira për Botëror

Birrat do të jenë mjaft të lira në Botërorin e Brazilit. Qeveria e këtij vendi e ka shtyrë rritjen e tatimit për birra dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë tifozët që do të qëndrojnë në Brazil muajin e ardhshëm.

Sport

16/05/2014 00:12

Lajme të mira për tifozët brazilianë dhe rreth 600 mijë mbështetës të huaj, në pritje të Botërorit të futbollit, që do të mbahet në Brazil.

Qeveria e Presidentes Dilma Rousseff e ka shtyrë për muajin shtator rritjen e tatimit për birra dhe pije tjera alkoolike, që ishte paraparë të hynte në fuqi nga 1 qershori.

Ministri i Financave, Guido Mantega, ka bërë të ditur se ka arrir marrëveshje me prodhuesit dhe pronarët e bareve dhe restoranteve, për ta shmangur rritjen e çmimit në vazhdën e Botërorit të futbollit (12 qershor – 13 korrik).

Një shishe birre lokale me sasi gjysmë listre, do të kushtojë mesatarisht në një super-market brazilian rreth 0,60 euro, ndërsa nga 2 deri në 4 euro në bare e restorante, ku ‘chopp’ është pija më e konsumuar.