Binance pjesë e operacionit Cyber Patrol – një aksion global i përbashkët në luftimin e piraterisë digjitale
Pirateria digjitale prej vitesh funksionon si një ekosistem i sofistikuar, dinamik dhe transnacional, duke u përshtatur me teknologjitë e reja dhe duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore. Platforma të paligjshme IPTV, rrjete të fshehta streaming dhe struktura për rishitjen e abonimeve kanë lulëzuar në një mjedis ku rregullimi ligjor është i fragmentuar, ndërsa metodat e pagesave po…
Pirateria digjitale prej vitesh funksionon si një ekosistem i sofistikuar, dinamik dhe transnacional, duke u përshtatur me teknologjitë e reja dhe duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore. Platforma të paligjshme IPTV, rrjete të fshehta streaming dhe struktura për rishitjen e abonimeve kanë lulëzuar në një mjedis ku rregullimi ligjor është i fragmentuar, ndërsa metodat e pagesave po transformohen me shpejtësi.
Në nëntor 2025, aktorë kryesorë të industrisë audiovizuale dhe kripto u bashkuan me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit për të nisur një operacion të përbashkët kundër këtij fenomeni. Iniciativa, e quajtur Cyber Patrol, u përqendrua te infrastruktura financiare që furnizon piraterinë digjitale, duke analizuar se si rrjetet ilegale përdorin kriptovaluta për të operuar përtej kufijve dhe për t’u maskuar nga sistemet tradicionale të kontrollit.
Operacioni u udhëheq nga njësia e specializuar IPC3 brenda Europol, në bashkëpunim me EUIPO, ndërsa ekipe të zbatimit të ligjit nga më shumë se 15 shtete evropiane punuan së bashku me partnerë të sektorit privat, përfshirë Premier League, Irdeto, AAPA, Binance, Coinbase, Chainalysis dhe Maltego. Për një javë, këto organizata ndanë të dhëna, identifikuan rrjetet financiare, gjurmuan fondet në kriptovaluta dhe kërkuan të destabilizonin modelin ekonomik që mban në këmbë shërbimet e paligjshme IPTV.
Një gjetje qendrore ishte rritja e përdorimit të kriptos: rreth 20% e pagesave të piraterisë digjitale kryhen sot me kriptovaluta. Operatorët e paligjshëm i kanë adoptuar ato për shkak të shpejtësisë, aksesit global dhe mungesës së kufizimeve tradicionale. Megjithatë, transparenca e blockchain-it – që shpesh perceptohet si një përparësi kriminale – u kthye në mekanizëm themelor për hetimin.
Siç theksoi Mark Mulready, Zëvendës President i Shërbimeve Kibernetike në Irdeto:
“Inteligjenca tregon që kriptovaluta është shndërruar shpejt në metodën e re të pagesës për piratët digjitalë. Ky operacion shënon një pikë kthese në luftën kundër piraterisë duke ndërprerë mekanizmat e pagesave që ushqejnë këto shërbime dhe duke goditur në zemër të modelit të tyre të biznesit.”
Partnerët e operacionit përdorën inteligjencë të thellë blockchain nga Chainalysis dhe platformën Chainalysis Reactor për të ndjekur lëvizjet e fondeve, për të identifikuar modelet e pastrimit të parave dhe për të zbuluar rrjete të ndërlidhura portofolash. Maltego kontribuoi me vizualizime të strukturave financiare, duke krijuar një pasqyrë të qartë të flukseve të parasë. Ky kombinim metodologjik nënkuptoi se hetimi nuk e synoi vetëm përmbajtjen e piratëve, por burimet financiare që e mbajnë në këmbë këtë ekosistem.
Rezultatet e operacionit shpalosën një ekosistem të gjerë dhe më parë të padukshëm të piraterisë IPTV:
- 69 faqe piraterie u identifikuan dhe u targetuan
- 25 shërbime të paligjshme IPTV u referuan te ofruesit e kriptos për ndërprerje
- 44 faqe të tjera u vendosën nën hetim aktiv
- 11,821,006 vizita vjetore të vlerësuara në këto faqe
- rreth 55 milionë dollarë në kriptovaluta u gjurmuan në llogari të lidhura me këto shërbime
- disa prej këtyre shërbimeve mbeten ende nën hetim
Këto gjetje nuk tregojnë vetëm madhësinë e tregut të paligjshëm, por edhe arsyen pse ndërprerja e linjave financiare është një nga mënyrat më efikase për të destabilizuar këtë industri.
Një aspekt kritik i Cyber Patrol ishte kontributi i shkëmbimeve të kriptovalutave, veçanërisht Binance, e cila përdori inteligjencën operative për të ndërhyrë kundër llogarive të lidhura me piraterinë, duke zbatuar mekanizmat e pajtueshmërisë dhe verifikimit për të parandaluar abuzimet dhe për të mbrojtur integritetin e platformës. Hetuesit e Binance aktivizuan kapacitetet e tyre të brendshme për të ngrirë llogaritë, për të analizuar flukset e fondeve dhe për të bashkëpunuar me autoritetet gjyqësore.
Siç deklaroi Lilija Mazeikiene, Kryetare e Hetimeve për Binance EMEA:
“Ky bashkëpunim tregon rëndësinë dhe fuqinë e partneritetit publiko-privat në luftën kundër krimit digjital, që është pjesë integrale e punës sonë në Binance. Ai gjithashtu demonstron se krimi nuk mund të fshihet lehtë në blockchain, ku natyra pseudo-anonime e kriptos e bën më të thjeshtë zbulimin e transaksioneve të paligjshme sesa paratë fizike. Piratët digjitalë së shpejti do të kuptojnë se kripto nuk do t’i ndihmojë të fshihen.”
Cyber Patrol nxori në pah një realitet që shpesh keqkuptohet: kriminelët digjitalë e shohin kripton si një mënyrë për t’u zhdukur nga gjurma financiare, ndërsa blockchain krijon një nga zinxhirët më të fortë të provave që ekziston. Çdo transferim lë gjurmë të përhershme dhe të verifikueshme, të cilat mund të analizohen dhe të përdoren për ndjekje penale.
Operacioni shënoi një shembull të fuqishëm të veprimit të koordinuar ndërkombëtar mes industrisë së medias, teknologjisë dhe kriptos, duke demonstruar se kur inteligjenca ndahet dhe veprimi sinkronizohet, mund të destabilizohen rrjete krimi që veprojnë globalisht, në shkallë industriale.