Biletat për “Francë 2016”, on-line!

Për to duhet të aplikosh në faqen e UEFA-s në internet, pasi biletat do të shiten on-line, nëpërmjet një procedure që kalon në disa etapa, që të kushtëzojnë të jesh i kujdesshëm përpara kompjuterit,

Sport

17/10/2015 12:18

Mendohet, që gjatë qershorit të vitit të ardhshëm, Franca të ngjyroset kuqezi nga tifozët e shumtë shqiptarë, të cilët do të ndjekin dhe mbështesin Kombëtaren në finalet e Euro 2016-s.

Mirëpo sigurimi i biletave, për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares sonë gjatë finaleve, do të jenë një “kalvar” i mundimshëm për tifozët kuqezinj, kudo që jetojnë, në Shqipëri dhe jashtë saj.

Dihet paraprakisht, se FSHF-ja do të ketë në dispozicion të saj, jo më pak se 6000 bileta për tifozët kuqezinj në çdo ndeshje ku do të luajë Shqipëria.

Ky numër mund të rritet, pasi UEFA ka përcaktuar, që çdo federatë do të përfitojë 16% të të kapacitetit të çdo stadiumi, ku do të luajë përfaqësuesja e saj.

Për to duhet të aplikosh në faqen e UEFA-s në internet, pasi biletat do të shiten on-line, nëpërmjet një procedure që kalon në disa etapa, që të kushtëzojnë të jesh i kujdesshëm përpara kompjuterit, shkruan “Sportal.al”.

Pas hedhjes së shortit, më 14 dhjetor, mund të aplikosh edhe me ndeshje të përzgjedhura, me parakushtin e pronotimit të vetëm 4 biletave.

Problemi i vetëm për t’u pajisur me një biletë për ndeshjet e Kombëtares sonë, sipas UEFA-s, e cila është organizatorja e këtij eventi dhe merret me shitjen dhe shpërndarjen e tyre, është pasaporta shqiptare, çka mund të penalizojë kuqezinjtë e Kosovës dhe të Maqedonisë.