BILD: Italia po përgatitet për tërheqje të mundshme të trupave ushtarake nga Kosova

Gazeta e njohur gjermane, “Bild”, raporton se, sipas informatave të saj, Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova. “Sipas të dhënave të Bild-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të ShBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut…

Lajme

19/02/2025 12:32

Gazeta e njohur gjermane, “Bild”, raporton se, sipas informatave të saj, Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.

“Sipas të dhënave të Bild-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të ShBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe” – thuhet në artikullin e gazetës gjermane.

“Ka shqetësim të madh në shumë pjesë të Evropës për negociatat amerikano-ruse. Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa. Sipas të dhënave të Bild-it, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët perëndimorë kanë frikë se bisedimet që nisën sot në Riad do të mund të çonin në përfundimin e pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës” – thuhet në krye të artikullit.

Një zyrtar i sigurisë në Evropën Lindore gazetës “Bild” i tha: “Sipas të dhënave tona, kjo ka të bëjë me kërkesat e Putinit të vitit 2021, që janë tërheqja e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që janë bërë pjesë e aleancës pas vitit 1990.”

Skenari i rastit më të keq është ai në të cilin shumë ekspertë kanë frikë për një pushtim të menjëhershëm nga ushtria ruse në ish-republikat sovjetike, Estoni, Letoni e Lituani, si dhe një luftë e shkallës së lartë me Poloninë, thuhet më tej në artikullin e gazetës gjermane.

Prania e trupave amerikane në zonat afër Rusisë, sipas konsensusit të shteteve fqinje të Rusisë, është garancia më e madhe për pavarësinë e këtyre vendeve.