BIK-u u kërkon partive të mos e përdorin shaminë për vota
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, u ka bërë thirrje partive politike në vend që të mos e politizojnë çështjen e shamisë. Po ashtu përmes këtij reagimi BIK-u, kërkon nga partitë politike të qëndrojnë larg xhamive në kohën e fushatës.

Lajme
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ka kërkuar nga paritë politike në vend, që të mos e politizojnë çështjen e shamisë. Në një reagim të lëshuar nga BIK-u, thuhet se partitë politike le të merren me programet e tyre dhe se çështja e shamisë duhet të zgjidhet nga praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian.
“Zgjidhja për këtë çështje, dhe çështjet të tjera duhet kërkuar në kuadër të Kushtetutës së vendit dhe shembullit të vendeve të Bashkimit Evropian, atje ku pretendojmë të integrohemi, larg çdo politizimi e polarizimi për interesa politike e klanore. Partitë politike le të merren më punët dhe programet e tyre, ndërsa Bashkësia Islame do të kryej misionin e saj kushtetues”, thuhet në reagim
BIK-u ka kërkuar që partitë politike në vend, të mos i shfrytëzojnë xhamitë për fushatën e tyre elektorale.
“Kryesia e BIK-ut fton të gjitha partitë politike që të mos provojnë të bëjnë fushatë në xhamitë dhe objektet e tjera të BIK-ut, sepse xhamitë nuk janë vend për platforma politike, por për ibadete e kryerje të obligimeve fetare. Kjo ngase, xhemati ynë është heterogjen dhe u përket të gjitha partive politike, pra për ne të gjitha partitë politike janë të barabarta”, thuhet më tej në reagim.
Kryesia e BIK-ut, në të njëjtën kohë shpreh shqetësimin dhe mospajtimin e saj për marshin e sotshëm në Prishtinë, kundër homofobisë.
“Marshin e sotëm e konsiderojmë fushatë me të cilën po tentohet të promovohet homoseksualiteti si vlerë civilizuese. Bashkësia Islame e Kosovës, edhe një herë, publikisht distancohet nga kjo dukuri e cila është degjeneruese, denigruese dhe nuk përkon me natyrshmërinë e llojit njerëzor, si dhe është kundër mësimeve të Zotit, parimeve fetare, traditës së shëndoshë të shoqërisë dhe familjes së shëndetshme”, përfundon reagimi i BIK-ut.