BIK-u distancohet nga fushata elektorale e Shefqet Krasniqit

Bashkësia Islame e Kosovës, është distancuar nga hoxhallarët të cilët po përzihen në fushatën për zgjedhjet e 8 qershorit, duke përkrahur publikisht individ dhe grupacione të caktuara politike. 

Lajme

31/05/2014 17:29

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, mbrëmë në një televizion lokal, tha se ai dhe disa hoxhallarë të tjerë mbështesin Listën Uniteti, e cila garon me katër kandidatë për deputetë, brenda listës së Aleancës Kosova e Re. 

Hoxha kontrovers, përveq fushatës hapur pro individëve dhe subjekteve të caktuara politike, nuk hezitonte, që elektoratit t’i bëjë thirrje se kush nuk duhet votuar në asnjë formë. 

Bashkësisë Islame e Kosovës, përmes një deklarate për publikun është shprehur se implikimi i disa të punësuarve të këtij institucioni në fushatë përmes mediave (Tv lokale) e rrjete sociale, në favor të një subjekti, liste a kandidati që tashmë janë në garë për Kuvendin e Kosovës, nuk paraqet qëndrimin zyrtar të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve të saj.  

“Veprimet e tilla sipas BIK-ut, konsiderohen shkelje e akteve normative të BI-së dhe si të tilla janë të sanksionueshme”. 

“Kryesia e BIK-ut njofton opinionin e gjerë, se nuk përkrah, nuk mbështet e as nuk favorizon asnjë subjekt politik, koalicion, nismë qytetare apo kandidat për zgjedhjet nacionale”. 

“Për ne të gjitha subjektet politike janë të barabarta, ndërsa populli duke u bazuar në ndërgjegjen e tij, është ai që vendos përmes votës së lirë. Po ashtu, edhe njëherë ftojmë subjektet politikë për garë fer, të qetë e të ndershme, por pa e politizuar fenë dhe objektet fetare për qëllime elektorale”, thuhet në njoftimin që ka lëshuar BIK. (lajmi.net)