BIK kundër Xhihadit në Siri

Bashkësia Islame e Kosovës apelon te të rinjtë të mos shkojnë për të luftuar në Siri. Thotë se kosovarët nuk duhet të bien pre e grupeve dhe individëve që duan të bëjnë \"xhihad” me tragjedinë e popullit sirian.

Lajme

13/11/2013 13:16

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) i ka dhënë fund heshtjes ndaj raporteve për fenomenin e rekrutimit të kosovarëve për luftën civile në Siri.

Me anë të një deklarate të lëshuar të mërkurën, BIK ka apeluar te të rinjtë që të mos shkojnë për të marrë pjesë në këtë konflikt, ndërsa atyre që tashmë e kanë bërë këtë “të kthehen pranë familjeve të tyre”.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës fton të rinjtë kosovar që në çfarëdo mënyre janë impenjuar me luftën në Siri që sa më parë të kthehen në vend pranë familjeve të tyre, ndërsa i porosisim dhe u bëjmë me dije të gjithë atyre që kanë marrë një rrugë të tillë, mos të bien pre e grupeve dhe individëve që dëshirojnë të bëjnë ‘Xhihad’ me tragjedinë e popullit sirian”, thuhet në deklaratën e BIK.

“Kryesia e BIK, si dhe populli i Kosovës përkrah luftën e drejtë të popullit sirian. Mirëpo, shkuarja në Siri për të luftuar  gjoja për kauzën islame, jo që nuk ka të bëjë asgjë me parimet fetare, në të cilat thirren organizatat e panjohura për ne dhe popullin tonë, por për me keq i zgjat jetën regjimit të Bashar al-Asadit dhe vuajtjet të popullit sirian”.

“Nuk kemi të rinj për të rekrutuar njerëz të panjohur në emrin e fesë islame. Në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës është institucioni i vetëm që jep fetva dhe udhëzime për besimtarët tanë dhe interpreton e sqaron parimet dhe mësimet fetare”.

“Duke u nisur nga kjo, edhe një herë ftojmë besimtarët tanë, ftojmë prindërit tanë, ftojmë të rinjtë tanë, dhe sqarojmë opinionin e gjerë, që mos të bien pre e organizimeve të dyshimta, e njerëzve pa adresë, dhe mos t’u bashkohen kauzave që nuk dihet për çka angazhohen”.

“Shkuarja në Siri apo kudo, qoftë pa lejen e prindit e familjes dhe në rrugë ilegale e klandestine, është e ndaluar me fe”.

Në të njëjtën kohë, kryesia e komunitetit mysliman të Kosovës ka dënuar kërcënimet e fundit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup xhihadist.

“Kryesia e BIK dënon edhe kërcënimin e një gjoja ushtrie në adresë të Policisë së Kosovës, të cilin e konsiderojmë sulm ndaj rendit kushtetues të vendit”.

“Kryesia e BIK përkrah fuqishëm punën e institucioneve kushtetuese të sigurisë së vendit, dhe në të njëjtën kohë kërkojmë nga opinioni që mos të paragjykojnë askënd derisa organet e drejtësisë nuk e japin fjalën e tyre”, thuhet në deklaratën e Bashkësisë Islame të Kosovës.