Të Infektuar: 14119

Të Shëruar: 10546

Të Vdekur: 563

Bie numri i të infektuarve me koronavirus, MSH-ja pa vendim për lehtësimin e masave

18:58 | 16 Shtator 2020

Ilustrim / Foto: Lajmi.net

Ditëve të fundit në Kosovë ka rënë numri i të infektuarve me koronavirus, mirëpo autoritetet akoma nuk kanë marrë asnjë vendim për lehtësimin e masave.

Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 14 mijë e 763 dhe janë regjistruar gjithsej 601 viktima nga ky virus.

Mirëpo, pavarësisht këtyre shifrave, ditëve të fundit është vërejtur dukshëm rënia e rasteve të reja të infektuarve me koronavirus, por edhe të viktimave.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Shëndetësisë (MSH), ende nuk ka marrë vendim për lehtësimin e masave.

Nga kjo ministri kanë bërë të ditur për lajmi.net, se këtyre ditëve kanë qenë të fokusuar në shkolla dhe se ditëve të ardhshme do të rivlerësohet situata epidemiologjike për të ardhur në ndonjë vendim për lehtësimin e masave.

“Këtyre ditëve fokusi ka qenë tek shkollat, por ditëve në vijim, do të rivlerësohet situata epidemiologjike para se të ndërmerret çfarëdo vendimi”, thuhet në përgjigjen e MSH-së dhënë lajmi.net.

Theksojmë se më 26 gusht të këtij viti, ka hyrë në fuqi Ligji për pandeminë, ku edhe masat kundër përhapjes së koronavirusit sipas këtij ligji janë mjaft të rrepta. /Lajmi.net/

Lexo edhe: 

Hyn në fuqi ligji për pandeminë, këto janë të gjitha masat dhe gjobat për shkelësit