Bie në 7 mijë e 508 numri i rasteve aktive, nesër vazhdon vaksinimi i mjekëve

Në ditët e fundit në Kosovë është vërejtur një rënie e rasteve të infektimit me koronavirus.

Lajme

04/05/2021 23:18

Si rrjedhojë, ka pasur edhe ulje të testimeve mirëpo edhe të rasteve me fatalitet, shkruan lajmi.net.

Kësisoj, në 24 orët e fundit janë konfirmuar vetëm 75 raste të reja me COVID-19.

Aktualisht në vendin tonë janë edhe 7 mijë e 508 raste aktive me koronavirus. Që nga fillimi i pandemisë,  janë konfirmuar gjithësej 105 mijë e 711 raste pozitive.

2 mijë e 191 persona nuk kanë arritur t’i mbijetojnë komplikimeve shëndetësore nga virusi.

Ndërkaq, janë shëruar 96 mijë e 12 persona.

Ndryshe, në Kosovë sot kanë arritur edhe 4680 doza të vaksinës Pfizer.

“Ministria e Shëndetësisë ka pranuar sot 4680 doza të vaksinës Pfizer/Biontech kundër COVID-19, pjesë e parë e 95 000 dozave të cilat Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën në kuadër të mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në vaksinimin kundër COVID-19”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Me rekomandim të Komitetit për vaksinim kundër COVID-19, këto doza të vaksinës Pfizer/Biontech do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit për arsye shëndetësore për çka duhet të kenë dëshmi.

Vaksinimi do të rifillojë nesër, e mërkurë 5 maj 2021 me punëtorët shëndetësor nga e tërë Kosova, të cilët do të vaksinohen në sallën “1 Tetori”  në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00. ​ /Lajmi.net/