Biden shpall paketën e ndihmës për koronavirusin

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden paraqet të enjten në mbrëmje planin e administratës së tij mbi koronavirusin që përfshin rritje të numrit të vaksinimeve dhe ndihmë për të luftuar efektet ekonomike të pandemisë.

Bota

14/01/2021 22:42

Objektivi i tij kryesor është kryerja e 100 milionë vaksinimeve në 100 ditët e para pas marrjes së detyrës më 20 janar ndaj dhe plani i tij pritet të përfshijë fonde për të zgjeruar fushatën e vaksinimit.

Qeveria amerikane ka dhënë autorizimin për dy vaksina të ndryshme për përdorim emergjent. Ato merren në dy doza dhe deri më tani, më shumë se 10 milionë njerëz kanë marrë vetëm dozë e parë të vaksinës.

Plani i zoti Biden pritet gjithashtu të përfshijë një cikël të ri pagese direkte për familjet amerikane. Diskutimet mbi këtë çështje u shtynë muajin e kaluar mes mosmarrëveshjeve politike mbi shumën që duhej të përfitonte çdo shtetas amerikan në formë çeku.

Brian Deese, që pritet të jetë këshilltari për Ekonominë i zotit Biden, ka thënë se do të propozohet gjithashtu edhe një ndihmë për bizneset e vogla.

Sipas tij Biden do t’i kërkojë Kongresit të përqendrohet së pari në miratimin e masave stimuluese ekonomike afatshkurtra e më pas do të punohet mbi planet afatgjata të rimëkëmbjes ekonomike që lidhen me kujdesin shëndetësor dhe infrastrukturën.

Miratimi i një projektligji për të lehtësuar pasojat e pandemisë do të ishte përparësia kryesore e demokratëve me marrjen në kontroll të Senatit, ka deklaruar udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer.

Prej fillimit të pandemisë në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar afërsisht 385,000 vdekje si pasojë e COVID-19. Prej më shumë se dy muajsh vendi po përballet me rritje dramatike të infeksioneve.

Gjatë javës së kaluar u regjistruan mesatarisht 245,000 raste të reja në ditë dhe 3,300 vdekje. Shtrimet në spital si pasojë e COVID-19-s janë në nivele rekord.