“Biden do të sanksionojë politikanët që përmendin bashkimin kombëtar”, reagon Serwer

Njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, njëherësh edhe profesor universitar në Universitetin amerikan “Johns Hopkins” ka ndarë kritikat e tij për një raport të publikuar lidhur me strategjinë afatshkurtër të Administratës Biden për Ballkanin Perëndimor, ku gjerësisht trajtohet edhe rasti i Kosovës.

Lajme

19/01/2022 22:55

Serwer ka komentuar, veç tjerash, pjesën ku është propozuar që të sanksionohen ligjërisht nga SHBA-ja politikanët që përmendin bashkimin kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ai është shprehur kundër kësaj ideje, duke thënë se “Washingtoni nuk vendos sanksione për opinione por për veprime”, shkruan lajmi.net.

“Por autorët bëjnë gabim duke thënë që SHBA-ja të sanksionojë ligjërisht paladinët e tyre. Ky propozim po tërheq shumë vëmendjen e shtypit në rajon, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Uashingtoni nuk vendos sanksione ligjore për opinione, por për veprime. Zyrtarët amerikanë mund të kufizojnë aksesin dhe madje edhe vizat për zyrtarët e huaj që thonë gjëra që Washingtoni i konsideron si destabilizuese. Por keqbërësit do të duhet të fusin legjislacionin, të organizojnë dhe armatosin paraushtarakët, ose të ndërmarrin ndonjë veprim tjetër të prekshëm për të ardhur deri tek ngrirja e fondeve ose tek sanksione të tjera ligjore”, deklaron Serwer.

Në një nga pikat përfundimtare të arritura nga raporti i Institutit amerikan për Politikë të Jashtme është si vijon “Zbatimi i hapave të njëanshëm nga administrata Biden, duke përfshirë emërimin e një ‘të dërguari të posaçëm për njohjen e Kosovës’, së bashku me një paralajmërim të shprehur të SHBA-së për të sanksionuar çdo lider në Shqipëri ose Kosovë që promovon ndonjë ‘bashkim’ midis dy vendeve të pavarura”.

Megjithatë, Serwer mbështet idenë që strategjia e ashtuquajtur “konvergjencë” do të ndihmonte bindjen e vendeve jo-njohëse të njohin Kosovën. Ndër shtetet e para jo-njohëse që mund të ndryshojë mendje përmendet Greqia.

“Raporti me të drejtë vë theksin në bindjen e jo-njohësve që të njohin Kosovën, duke respektuar vështirësitë e procesit. Kjo është pjesa qendrore e asaj që ata e quajnë një strategji “konvergjence”. Ata gjithashtu kanë të drejtë të përmendin Greqinë si ndër shtetet më të mundshmet nga vendet jo-njohëse për të bërë gjënë e duhur”, thotë eksperti amerikan. /Lajmi.net/