Betohet Agim Bahtiri
Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u betua sot solemnisht. Ai u zotua se përveç se do të realizojë premtimet e bëra, do t’i tejkalojë ato.

Lajme
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, u betuar sot solemnisht para këshilltarëve të Kuvendit Komunal.
Seancën e betimit e udhëhoqi asamblisti më i vjetër Riza Haziri.
Bahtiri u zotua se do të mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale, madje ai tha se do t’i tejkalojë ato.
Ai premtoi se Mitrovicës do t’ia kthejë “namin” e saj të dikurshëm.
“Betohem para Zotit dhe juve, se do të qeverisim gjatë katër viteve të ardhme me tërë kapacitetin njerëzor e intelektual… duke punuar në të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallim”.
“Premtimet e dhëna gjatë fushatës, jo vetëm se do t’i përmbushi, por edhe do t’i tejkalojë ato”.
“Mitrovicës do t’ia kthejmë namin që kishte dikur”.
Në këtë ceremoni nuk mori pjesë Kryetari i deritanishëm i kësaj komune, Avni Kastrati. Por, pas ceremonisë së betimit, Kryetari në largim e priti në zyrën e tij Kryetarin e ri, të cilit i uroi punë të mbarë.
Kastrati tha se shpreson që Kryetari Agim Bahtiri do t’i mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës, sidomos premtimin për punësimin e 15 mijë njerëzve.
Ai tha se PDK do të jetë opozitë konstruktive dhe do të punojë në të mirë të qytetarëve.