Betimi i tensionuar dhe pa simbole

Oliver Ivanovic tregon për lajmi.net momentet që përshkruan betimin e mbrëmshëm të Komunave në Veri, një proces që po interpretohet në mënyra të ndryshme nga palët e përfshira në të. Thotë se betimi u bë sipas Marrëveshjes së Brukselit, pa praninë e simboleve.

Lajme

12/01/2014 10:35

Politikani nga Veriu, Oliver Ivanovic, thotë se betimi i organeve të reja komunale në këtë pjesë është bërë në një situatë mjaft të tensionuar.

Ivanovic tregon për lajmi.net momentet që kanë përshkruar betimin e të zgjedhurve në organet komunale të pjesës Veriore, një proces që po interpretohet në mënyra të ndryshme nga palët e përfshira në të.

Ivanovic është pjesë e organeve të reja komunale në Komunën e sapothemeluar të Mitrovicës Veriore. Ai mbrëmë dha betimin, ashtu siç vepruan edhe të zgjedhurit e tjerë më 3 nëntor të vitit të kaluar.

Thotë se betimi u bë pa simbole dhe sipas Marrëveshjes së 19 Prillit, të arritur në Bruksel në mes të Kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.

“Situate ka qenë e tensionuar”.

“Ne jemi vonuar me konstituimin e organeve të reja, mirëpo para afatit të fundit ne arritëm të bëjmë këtë konstituim, në atë mënyrë siç janë marrë vesh në Bruksel”.

Por, cili ishte kompromisi që bëri të mundur betimin e tij dhe asamblistëve e Kryetarëve të katër Komunave Veriore mbrëmë?

“Kompromisi ka qenë që të mos insistohet për simbolet, sepse ashtu nuk do të ishim marrë vesh, nuk do të kishim bërë asnjë marrëveshje”.

“Serbët i kanë simbolet e veta, shqiptarët i kanë simbolet e veta, por kompromisi ishte të mos insistohej për ato simbole, sepse arsyeja pse ne kemi dalë në zgjedhje ka qenë për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve, e jo që të vazhdojmë fushatën dhe të vazhdojmë luftën për simbole”.

“Ashtu si u bë betimi, ka qenë situata mjaft e pranuar për të dyja palët”.

“Aty e kemi pasur edhe Samuel Zbogar’in, ai ishte brenda në sallë”.

“Prania e Zbogarit në mbledhje për ne do të thotë se e kemi edhe pëlqimin edhe vendimin e Bashkimit Europian”, thotë Ivanovic për lajmi.net.