Beteja Qeveri-SBASHK, a do t’iu ekzekutohen pagat mësimdhënësve?

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, (SBAShK), Rrahman Jasharaj dje ka deklaruar për media se nëse nuk procedohen pagat deri me 5 tetor, mund të kthehen sërish në grevë. Jasharaj tha se vendimin e Qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë e cilësojnë si dëshirë të kësaj të fundit për vazhdimin e grevave…

Lajme

05/10/2022 08:03

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, (SBAShK), Rrahman Jasharaj dje ka deklaruar për media se nëse nuk procedohen pagat deri me 5 tetor, mund të kthehen sërish në grevë.

Jasharaj tha se vendimin e Qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë e cilësojnë si dëshirë të kësaj të fundit për vazhdimin e grevave dhe konflikteve.

Nga Qeveria gjatë së martës kanë deklaruar sërish se nuk do të ketë kompensim në paga për grevistët.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një postim të gjatë ka akuzuar komunat duke thënë se nuk e kanë përmbushur obligimin e tyre që të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministrinë e Financave. Megjithatë, një gjë e tillë është mohuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke thënë se nga secila komunë janë dorëzuar listat e pagave.

Ajo ka thënë se i kanë dorëzuar ato të dhëna që i kanë pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta.

Nagavci ka bërë të ditur se tashmë ministria që ajo drejton ka ka marrë vendim për kompensimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës së SBASHK-ut.

Në kuadër të këtij vendimi, MASHTI i ka bërë edhe një propozim Ministrisë së Financave lidhur me çështjen e pagave për mësimdhënësit.

Sipas propozimit të saj, se në rast se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, Ministria e Financave do të shqyrtojë mundësinë e pagesës në avans.

Por nga SBASHK gjatë ditës së djeshme janë shprehur kundër kompensimit të orëve të humbura. Ata kanë thënë se ky vendim është kundër kontratës kolektive.