Beteja për lirinë e Prizrenit

Isa Mustafa pohon në Prizren se LDK e ka alternativën e qeverisjes së mirë, demokracisë qytetare dhe luftës kundër korrupsionit. Eqrem Kryeziu thotë se LDK konkurron për ta marrë pushtetin nga \"fëmijët plëngprishës\".

Lajme

31/10/2013 20:45

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën parazgjedhore në Prizren, ku ka thënë se po zhvillon betejën e saj  për lirinë e këtij qyteti.

Gjatë tubimit përmbyllës, lideri i LDK’së Isa Mustafa u shpreh i bindur në fitoren e Eqrem Kryeziu.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që vendimin e tyre për t’ia kthyer Prizrenit qeverisjen e mirë, të përgjegjshme dhe zhvillimore, ta marrim që në raundin e parë, më 3 nëntor.

“Prizreni nuk ka më kohë për të humbur”.

“Qytetarët nuk pajtohen që Kosova të mos zhvillohet, ata nuk duan që të kemi papunësi, shtet me korrupsion të lartë, që pushteti të mos kujdeset për qytetarë, shtet të ngulfatur dhe pa demokraci qytetare”.

“Alternativa jonë është e kundërta e asaj që qeveris aktualisht në Prizren. LDK’ja e ka alternativën e zhvillimit ekonomik, punësimit, qeverisjes së mirë, demokracisë qytetare dhe luftës kundër korrupsionit”.

Isa Mustafa tha se përkrahja e Kandidatit të LDK’së për Kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziun, është përkrahje për vlerat e larta demokratike që duhet t’i rikthehen Prizrenit.

“Kryeziu ka qenë Kryetar i Prizrenit dhe ka lënë vepër të mirë në Prizren dhe është i gatshëm që t’ia kthejë Prizrenit pamjen e qytetit historik dhe të zhvilluar, që ka bashkëpunim me qytetet tjera përreth në Kosovë dhe me qytetet e Shqipërisë”.

“Kam ardhur t’ju ftoj që ta fitojmë Prizrenin që në raundin e parë, që fitorja të jetë e fuqishme”.

“Kam ardhur t’ju ftoj që më ndihmën tuaj Eqrem Kryeziu të fitojë qysh më 3 nëntor, sepse nuk kemi kohë të presim, nuk ka kohë Prizreni të presë, sepse e dimë vullnetin e qytetarëve të Prizrenit”.

Mustafa u tha prizrenasve se partia të cilën ai e udhëheq do të vazhdojë menjëherë punën për t’i fituar edhe zgjedhjet e ardhshme nacionale.

“Me qytetarët do të bashkëbisedojmë për programin tonë, do ta argumentojmë alternativën tonë të zhvillimit ekonomik, të zhvillimit social, të marrëdhënieve ndërkombëtare, të bashkëpunimit të mirë me fqinjët, dhe të integrimeve tona europiane. Ky është program europian, kjo është partia e vërtetë europiane, është partia e vërtetë demokratike, që ka kultivuar e kultivon vlerat e demokracisë”.

“Të gjitha partitë tjera të cilat thirren në demokraci, e kanë ngulfatur demokracinë, sepse nuk janë për lirinë individuale, lirinë e grupeve, për lirinë e fjalës, për lirinë e punës, për lirinë e lëvizjes, ato nuk janë parti që i nevojiten këtij vendi”.

“Prandaj ne dëshirojmë që pushtetin ta ndërtojmë me Lidhjen tonë, me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me Lidhjen e Ibrahim Rugovës, me Lidhjen e besës dhe me Lidhjen e punës”.

Kandidati i LDK’së për Kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziu, tha se është bindur që ka pasur të drejtë kur ka thënë se beteja e tij dhe e LDK’së në Prizren është betejë për liri.

“Vetëm pak ditë pasi e kisha thënë këtë, në sheshin tonë ‘Shatërvan’, pamë një spektakël me disa Kryeministra. Ishte pantomimë e ngadalësuar e një beteje greko-romake se kush do të jetë më vasal. Por, LDK’ja nuk pajtohet se ka vend për beteja të tilla. Sepse, ajo është bashkim i individëve të lirë dhe LDK’së, as nuk kërkon nga njeri të bëhet vasal, e për Zotin nuk bëhet vetë vasal kurrë”.

“Ne nuk do të ndalemi derisa ta bëjmë Isa Mustafën Kryeministër të Kosovës. Është dëshira dhe bindja e secilit prej nesh që me Isa Mustafën do të marrë rrugë një zhvillim i mirëfilltë ekonomik i Kosovës dhe jeta në Kosovë do të stabilizohet përfundimisht”.

Kryeziu tha se gjatë kohës së fushatës ka shpalosur programin qeverisës të LDK’së për Prizrenin.

“Stop degradimit moral, material dhe politik të këtij qyteti”.

“Të gjitha partitë politike janë anëtare të së njëjtës shtëpi. Por, LDK’ja konkurron për ta marrë pushtetin nga fëmijët plëngprishës”.