Beteja e vështirë me Serbinë, Kosova pak gjasa për INTERPOL

Kosova kishte parashtruar kërkesën për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë - INTERPOL, më 31 janar të këtij viti.

Lajme

16/07/2019 19:13

Në fund të qershorit, Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL, vendosi në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila sivjet do të mbahet në Kili.

Por, arritja e qëllimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, po shihet sfidë mjaft e vështirë nga njohësit e zhvillimeve politike në vend.

E derisa Kosova po rri e “heshtur”, Serbia tashmë ka nisur fushatën agresive kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Ministrat serb, Ivica Daçiq dhe Nebojsha Stefanoviq kanë thënë fjalë të mëdha se Kosova as këtë vit nuk do të mund të anëtarësohet në INTERPOL.

Ata kanë paralajmëruar se Serbia do të vazhdojë një luftë të vendosur diplomatike për të parandaluar Kosovën të bëhet pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë.

Se a ka nisur Kosova lobimin për në INTERPOL dhe çfarë është duke u bërë në këtë drejtim, lajmi.net gjatë tërë ditës është munduar të marrë një përgjigje nga ministria e Punëve të Jashtme, por pa sukses.

Mirëpo, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Avni Islami duke folur për lajmi.net, është shprehur mjaft skeptik lidhur me suksesin e mundshëm të Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL gjatë këtij viti.

Islami mendon se gjasat për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL janë edhe më të vogla se vitin e kaluar, sipas tij, kjo për shkak se fushata agresive e Serbisë dhe miqve të saj është shumë e madhe.

“Mendojë se gjasat për anëtarësim të Kosovës në organizatën e INTERPOL-it janë edhe më të vogla se vitin e kaluar për shkak se fushata agresive e Serbisë dhe miqve të saj është shumë e madhe dhe për shkaka se ndikimi i Kosovës në vendimmarrje është i vogël e për fat të keq edhe disa miqtë tanë që kemi pritur shumë më tepër nga ata nuk janë duke e bërë punën sa duhet, pra nuk janë duke bërë presion vendeve të cilat janë me ndikim për arritjen e numrit të votave për anëtarësim. Çështja e anëtarësimit të Policisë së Kosovës në INTERPOL mbetet larg asaj, mendoj se vitin e kaluar ishte shumë afër, ndërsa tani është larg që mund të pranohet për shkak se pa një marrëveshje të përgjithshme në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë anëtarësim të Kosovës në INTERPOL por edhe në të ardhmen do të paraqitën shumë probleme nga Serbia dhe aleatët e saj, aty ku kanë mundësi më e shtri aktivitetin e vet, aty do të përpiqen që ta pengojnë Kosovën në anëtarësim në organizata të ndryshme”, ka thënë Islami.

Tutje Islami ka theksuar se ky është një hendikep i madh, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe më gjerë, pasi siç thotë ai, në njëfarë mënyrë kriminel të ndryshëm gjejnë strehim në Kosovë dhe kjo e zbeh punën e INTERPOL-it në rajon dhe më gjerë.

“Për shkak të presionit dhe rritjes së ndikimit dhe një tendencë e rënies së politikës amerikane ka ndikuar negativisht por edhe vet mosunitetit të Bashkimit Evropian për shkak të problemeve të brendshme, të gjitha këto kanë ndikuar që Kosova të stagnojë dhe të mos anëtarësohet në organizatën e INTERPOL-it. Por lëvizjet gjeopolitikë dhe strategjike në rajon dhe në botë kanë ndikuar që drejtpërsëdrejti edhe Kosova të mos jetë më ai vend që është pritur të anëtarësohet dhe më nuk po merren shumë më çështjen e Kosovës. Pra të gjithë këto kanë bërë që Kosova të mos përkrahet nga vendet shumicë dhe që mendoj se ky është hendikep i madh, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe më gjerë, për shkak se në njëfarë mënyrë kriminel të ndryshëm gjejnë strehim në Kosovë dhe kjo e zbeh punën e INTERPOL-it në rajon dhe më gjerë”, ka thënë tutje Islami.

Kurse, analisti politik, Imer Mushkolaj thotë se nëse Kosova dështon përsëri, kjo i jep më shumë argumente Serbisë që Kosova nuk është një shtet përnjëmend.

Sipas tij, nëse Kosova nuk ka punuar paraprakisht për lobim, do të ishte më mirë që fare të mos aplikonte.

“Problemi është se nëse nuk është bërë punë paraprakisht për lobim në mënyrë që Kosova të anëtarësohet, atëherë kish me qenë më mirë që Kosova fare të mos aplikonte. Përndryshe nëse dështojmë prapë kjo i jep më shumë argumente Serbisë që Kosova nuk është një shtet përnjëmend dhe nuk po mund të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare siç është INTERPOL”, ka thënë Mushkolaj.

Mushkolaj tutje ka thënë se Kosova do të duhej të lobuar tek ato shtete të cilat herën e kaluar kanë votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Besoj që në vend së të harxhojnë para në shumë fushata tjera pa pikë nevoje do të ishte mirë që të harxhohen pse jo edhe mjete financiare në mënyrë që të përgatitet Kosova edhe të mund të pranohet, respektivisht që aplikimi të jetë serioz dhe kjo nuk arrihet vetëm duke bërë thirrje ose duke përdorur retorikë se Kosova është e gatshme, por duke lobuar sidomos tek ato shtet të cilat herën e kaluar kanë votuar kundër që Kosova të jetë pjesë e INTERPOL-it”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se Kosova as këtë vit nuk do të mund të anëtarësohet në INTERPOL.

Sipas tij vendimi i Komitetit Ekzekutiv, i cili ia lejoi Kosovës që të dorëzojë dosjen e Policisë për votim në Asamblenë e Përgjithshme është thjeshtë vetëm një çështje teknike.

Në një prononcim për “Kurir.rs”, Daçiq ka thënë se çështja e mocionit është vetëm çështje teknike mirëpo, sipas tij, as këtë vit Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në INTERPOL.

“Në thelb është e njëjta gjë dhe nuk do të kalojë përsëri, do të humbasë përsëri”, ka thënë Daçiq.

Edhe ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq tha dje se Serbia do të vazhdojë një luftë të vendosur diplomatike për të parandaluar Kosovën të bëhet pjesë e Interpolit.

Ndryshe, sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it do të mbahet këtë vit në Kili, shtet ky që nuk e njeh Kosovën.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme. /Lajmi.net/