Bestselleri legjendar

Visar Arifaj publikoi librin e tij në të cilin shpjegon \"parimet isamustafiane”, por e lë të paqartë për lexuesin “parimin margaretthaçian”. Paralajmëron libër tjetër, në zgjedhjet e radhës.

Lajme

24/10/2013 16:09

Kryetari Lexhendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj përuroi sot librin me thëniet e tij “të forta”. Libri i vogël i portokalltë është botimi i parë zyrtar i Partisë së Fortë dhe synon përndritjen e qytetarëve dhe votuesve me qëndrimet e Kryetarit. Libri reflekton praktikat politiko-ideologjike të Lexhendarit Arifaj.

“Ky libër është epitomizimi i praktikës sime politike vetëm gjatë disa muajve të fundit, i shprehur nëpërmjet disa thënieve (relativisht) të shkurtra, por kuptimplote. Partia e Fortë dhe unë personalisht mendojmë se asgjë më nuk do të jetë e njëjtë pas daljes në dritë të këtij libri të vogël të portokalltë, të punuar me aq shumë kujdes nga disa nga nënkryetarët, vetëm për qytetarët e Kosovës,” ka thënë kryetari i Partisë së Fortë Visar Arifaj në hapje të promovimit të librit.

Ndërsa, promovimi nuk ka kaluar edhe pa komente në lidhje me fushatën politike, ku nënkryetarët e PF’së janë deklaruar në lidhje me mosprezencën e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa.

“Në këtë libër mund të gjeni qëndrime të mia, rrjedhimisht edhe të Partisë, në lidhje me të gjitha sferat politiko-sociale. Duke filluar nga ato të qeverisjes lokale, të cilat bazohen në parimet ekonomiko-shoqërore isamustafiane e deri te ato shtetërore me motive margaretthaçiane,” vazhdoi tutje kryetari Arifaj.

I pyetur lidhur me kuptimin e parimeve isamustafiane, kryetari Arifaj është përgjigjur që kjo është një formë e veprimit ku të gjitha aktivitetet me rëndësi lihen për fund. Bazuar në këtë parim ai ka premtuar se botimi i ardhshëm i këtij libri nuk do të ndodhë deri në zgjedhjet tjera.

Ndoshta deri atëherë, votuesit nuk do ta kenë mundësinë ta mësojnë as kuptimin e “parimeve margaretthaçiane”.

Në vend të parathënies për librin është shkruar një dedikim i veçantë nga filozofët Slavoj Zizek, Gabriel Tupinamba, Sead Zimeri dhe Sina Badiei.

“Vetëm nëse partia është mjaftueshmërisht e fortë, atëherë ka shpresë për njerëzit. Njerëzit e Kosovës janë fatlumë që e kanë Partinë e Fortë, sepse e vetmja mënyrë për të bërë sot politikë është duke e marrë atë tepër seriozisht – dhe kjo është pikërisht çka kjo parti po bën. Përderisa të tjerët po premtojnë të lëvizin nga fjalët në vepra, Partia e Fortë e din se gjithçka e rëndësishme në histori ka filluar me fjalën e duhur, ka shkruar filozofi i njohur slloven, Slavoj Zizek në dedikimin e tij për këtë libër.