Beson se Malisheva do të ndryshojë
Isa Mustafa kërkon votën e qytetarëve të Malishevës. Thotë se kjo komunë nuk e ka merituar këtë qeverisje që ka aktualisht, gjatë të cilës, sipas tij, është manipuluar me vullnetin e qytetarëve.
Lajme
Isa Mustafa ka vazhduar fushatën në Malishevë, të shtunën, ku ka kërkuar votën e qytetarëve të saj për LDK’në.
Zhvillimi ekonomik, infrastruktura, shëndetësia, arsimi, janë premtimet që LDK vazhdon t`i bëjë nëpër të gjitha Komunat e Kosovës. I bëri edhe në Malishevë.
Lideri i LDK’së tha se Malisheva meriton një qeverisje më të mirë.
“Duke e votuar LDK’në, ju do të gëzoni një zhvillim më të mirë ekonomik, mirëqenie sociale, arsim gjithëpërfshirës e cilësor, shëndetësi efikase dhe infrastrukturë me standarde europiane”.
“Malisheva nuk e ka merituar këtë qeverisje që ka aktualisht, gjatë të cilës është manipuluar me vullnetin e qytetarëve”.
“Kam bindjen se këtë vit Malisheva do të bëjë ndryshime të mëdha, me njeriun që e kemi kandidat për Kryetar të Komunës, i cili po tregohet i gatshëm dhe i përgjegjshëm për besimin që do të marrë. Ju garantoj se do të punojmë bashkë, do ta qeverisim Kosovën ashtu siç duan qytetarët e Kosovës”.
Ndërsa kandidati i LDK’së për këtë Komunë, Salih Morina, tha se synim parësor ka ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve.
“Synimi ynë kryesor është ngritja e mirëqenies sociale të qytetarëve. Jemi të sigurt se ndryshimet në Malisheve dhe gjithë Kosovën do të ndodhin”.
“Zotimi ynë për katër vjetët e ardhshme është zhvillimi ekonomik dhe krijim të kushteve për hapjen e vendeve të reja të punës, administratë profesionale, arsim e shëndetësi të papolitizuar, rend, rregull e disiplinë, transparencë buxhetore dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit”.