Besojnë në rritje të korrupsionit

U mbajt tryeza për ditën e korrupsionit “Si e gjen Kosovën dita ndërkombëtare kundër korrupsionit”. Të dhënat nga KDI tregojnë se 66% të qytetarëve kosovarë besojnë se ka rritje të korrupsionit në vend.

Lajme

09/12/2013 13:26

Qytetarët besojnë se në Kosovë ka rritje të korrupsionit edhe këtë vit, por askush s’po merr guxim që të shkojë të raportojë deri në Prokurori.

Kështu u tha në një tryeze diskutimi të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ku fol për nivelin e korrupsionit në Kosovë.

KDI tregon se nga raportet e realizuara, janë publikuar shifra jo të kënaqshme, 66 për qind të qytetarëve besojnë se ka korrupsion në Kosovë. Por, zyrtar nga Prokuroria thonë se 60 për qind nga kjo shifër ngurrojnë të japin ndonjë dëshmi për korrupsion.

Merita Mustafa nga KDI, duke folur mbi shifrat e korrupsionit në vend, thotë se Kosova ende po krahasohet me vende si Nigeria e Tanzania.

“Ne vazhdojmë të krahasohemi me një grup të shteteve shumë të largëta siç janë Nigeria, Etiopia, Tanzania dhe Egjipti. Për t’u rritur ndikimi i korrupsionit ndikues janë një varg ngjarjesh të cilat dëshmuan inferioritetin e organeve ndjekëse dhe paaftësinë institucionale për t’iu përgjigjur aferave korruptive”.

Ajo ka përmendur rastin e PTK’së, ku u ngrit dilemë serioze lidhur me fituesit, aferat e pasaportave, aferat në shëndetësi dhe infrastrukturë, thyerja e dhomës së dëshmive në Policinë e Kosovës, si raste që qytetarët po humbin besimin në institucionet qeverisëse.

“66% e qytetarëve të Kosovës mendojnë se korrupsioni është problem në rritje. Ndërsa 67% e qytetarëve e shohin korrupsionin si problemin kryesor në shoqëri. Dhe 85% e qytetarëve janë të gatshëm që të dalin në protesta kundër këtij fenomeni”, tregon raporti nga KDI.

Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, thotë se ky institucion i ka zvogëluar lëndët e vjetra për 60%, por mungesa e numrit të gjyqtarëve po i sjell ende problem ngase lëndët e reja po u vjetrohen prapë.

“Gjyqësori kosovar nuk përballet me krimin e organizuar dhe kjo është e nivelit lartë, nuk është kompetencë e gjyqtarëve vendorë. Kjo është me ligjin e prokurorisë special, dhe ligjin mbi EULEX’in që i ka kompetencë ekskluzive korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivel të lartë. Në këto krime hynë edhe krimet e luftës”.

“Këtë vit kanë ardhur më tepër aktakuza, deri tash sipas evidencave tona i kemi 122 aktakuza sa i përket rasteve me vepra penale korruptive. Prej këtyre, këtë vit kanë përfunduar 10 por procedura gjyqësore me të vërtetë do kohë, shqyrtim dhe prova për t’u proceduar”.

Besim Kelmendi, prokuror special në Prokurorinë Speciale të Kosovës, thotë se ata që japin informacione për një rast të korrupsionit janë të paktë në numër. Edhe ata që japin, nuk japin informata të plota.

“Vetëm marrja e informacioni pa ndonjë dëshmi shtesë neve na dërgon te shumë probleme në grumbullimin e informative pastaj. Tek korrupsioni janë tepër problem të sigurohen dëshmitë. Në gjykatë nuk mund të dërgohet rasti pa dëshmi, pa prova”.

“66% është perceptimi i qytetarëve që ka korrupsion, sikur t’i kishim në 66% të këtyre njerëzve të gatshëm për të ardhur në Prokurori të dëshmojnë ne do të ishim shumë fatlum. Por, besoni as 6% nga këta s’i keni të gatshëm të vijnë”.

Korrupsioni për secilin shtet sot përbën një kërcënim serioz, pra pas terrorizmit, luftës, ai është një ndër kërcënimet më serioze që i kanoset çdo shteti duke e ngadalësuar zhvillimin ekonomik, duke e përkeqësuar varfërinë, dhe duke e rritur dallimin në mes të pasurve dhe të varfërve.