Besojnë edhe në Prishtinë

PDK hap fushatën në Prishtinë. Hashim Thaçi dhe Agim Çeku besojnë se Kryeqyteti do të jetë i tyre. Thonë se numri 99 është historik. Përmendën tandemin e firores në luftë dhe në paqe, e po shpresojnë edhe në Prishtinë.

Lajme

05/10/2013 16:14

Hashim Thaçi dhe Agim Çeku, në vitin 1999 ishin të njëjtin front, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, njëri në operativë ushtarake e tjetri në politikë.

14 vjet më vonë, ata të dy janë bërë sërish bashkë, por kësaj radhe në frontin e politikës.

Me Agim Çekun, PDK është në përpjekje për t’ia marrë LDK’së Komunën të cilën nuk ka mundur t’ia marrë asnjëherë deri më tani.

Vetë Agim Çeku ia ka premtuar këtë PDK’së dhe Kryetarit të saj, Hashim Thaçi

“Ky entuziazëm dhe ky mobilizim po dëshmon se era e ndryshimit po fryen edhe në Prishtinë. Kjo pamje më bën të ndihem fitues dhe ju kumtoj se fitorja ime, fitorja e PDK’së, fitorja e Prishtinës, po vjen”.

“Me gjithë qenien time do t`i përkushtohem fitores, do t`i përkushtohem Prishtinës dhe qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Çeku, në hapje të fushatës zgjedhore.

E kur ka folur për shefin e tij partiak Hashim Thaçin, Çeku ka thënë se ai është sot dhe do të jetë edhe nesër Kryeministër i Kosovës.

“Ne do të fitojmë sepse në këtë garë hyjmë me numrin fitues 99. Numri 99 është numër historik dhe numër me fat për Kosovën. Me numrin 99 lidhet ngushtë liria e Kosovës. 99`shi është numri që do t`i sjellë fat edhe Prishtinës, 99 është numri që do të fitojë më 3 nëntor”, ka thënë Çeku.

“Do të fitojmë, sepse ne kemi hyrë në këtë garë me të vetmin qëllim që t’u shërbejmë  qytetarëve të Prishtinës”.

Ndërsa Hashim Thaçi e pranoi se është i emocionuar para se ta shpallë kandidaturën e Çekut për Kryetar të Prishtinës.

“Prishtina është e jona, ne do të fitojmë”.

“Çdo herë që kam pasur përgjegjësinë që të marr vendime bashkërisht me gjithë miqtë tjerë, të marr vendime për ta ngarkuar Kryetarin Agim Çeku me përgjegjësi, çdo herë kemi fituar. Prandaj, jam i bindur se edhe kësaj radhe do të fitojmë”.

“Kemi pasur përgjegjësi të punojmë bashkërisht dhe qytetarët e Kosovës ta ngarkojnë me përgjegjësi si njeri uniteti konsensual, i pranueshëm dhe i dashur për të gjithë.”

“Ai e ka përgatitur pavarësinë e Kosovës, ndërsa unë e kam shpallur”, ka thënë Thaçi duke iu referuar periudhës kur Çeku drejtoi Qeverinë e vendit deri në fund të vitit 2007.

“Prishtinën europiane mund ta shndërrojë vetëm njeriu me idetë e reja, me vizion europian, e ai është Agim Çeku”, ka thënë Thaçi.

Çeku ka premtuar se do t`u ofrojë qytetarëve shërbime të shpejta cilësore, aplikim për dokumente të ndryshme online, shërbime efikase komunale, vendosje të rregullit në Prishtinë, transport urban europian, furnizim me ujë, ngrohje dhe shërbime tjera komunale 24 orë, parkingje, arsim cilësor, 11 çerdhe, 5 shkolla fillore, spital rajonal dhe shtëpi për 300 banorë të pastrehë.