Besnik Qaka: “Ta du majmunin” është bërë për një masë të caktuar

10:52 | 20 Gusht 2015

Njëri ndër grupet e pakta të cilat i kanë mbijetuar kohës, “NRG Band”, para pak muajve kanë lansuar dy projektet e fundit për këtë sezon.

“As 1 si ti” dhe bashkëpunimi me Getin “Ta du majmunin” kanë qenë këngët e fundit të cilat janë pritë shumë mirë nga publiku. Grupi nuk do të ndalet me kaq, frontmeni i grupit NRG Band, Besnik Qaka, në një intervistë për Indeksonline ka thënë që ata janë duke punuar por ende nuk ka diçka konkrete të cilën do ta nxjerrin në pah.

“Ne jemi duke punuar vazhdimisht por ende nuk ka diçka konkrete dy projektet e fundit kanë arrit klikime dhe janë pëlqyer. Do të ketë prapë bashkëpunime. Tek ne bashkëpunimi vjen sipas natyrës së këngës. E ka çdo herë një hapësirë të veçantë jo veç pse duhet me bo. Kënga e fundit me Getin që u bo ka qenë zhanri i muzikës dhe stili që është kërkuar”, ka thënë Besniku.

Bashkëpunimi “Ta du majmunin” ka qenë ndër këngët e cila vërtetë ka ngjallur reagime dhe polemika nga fansat, shumë nga ta e kanë pëlqyer e disa nga ta e kanë kritikuar. Ndërsa këngëtari ka thënë që në muzikë kur duhet të shprehësh diçka patjetër që duhet të gjesh një formë dhe se çdo herë janë të vetëdijshëm për atë çka lansojnë në treg.

“Projekti i fundit u pritë mirë pavarësisht gjithçkaje ne veprojmë në atë mënyrë që me pas efekt ajo çka publikojmë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm çka nxjerrim në treg, dmth që tre herë mendojmë dhe njëherë veprojmë, aty asgjë nuk është bërë diçka që ka ndodh vetëm rastësisht. Kjo është këngë që është menduar për një masë të caktuar, është muhabet i klubeve që zakonisht bëhet”, ka sqaruar Besniku.

Këtë verë si çdo herë NRG Band vazhdon me tempon e njëjtë të punës dhe pjesëmarrje nëpër koncerte.

“Normal duhet me pas çdo herë diçka risi në tregun e muzikës sidomos artistët që janë të merituar dhe bëjnë muzikë origjinale. Ne jemi që 15-20 vite në këtë treg të muzikës, shtohet pyetja sa kanë me mujt këta artistët e ri me i rezistua kohës?.. Sa kanë me mujt me qëndrua në tregun muzikor me këtë muzikë sa është ajo origjinale?… Ka edhe artistë të vjetër por që nuk janë aktiv në muzikë”, ka thënë Besniku.

Në fund këngëtari e ka përfunduar bisedën me një shembull interesant: “muzika është një emocion e jo si një dikush që del në market në ora 7 edhe e mshel atë në ora 4 mas dite, muzika është një ndjenjë e veçantë”.

Kjo verë si çdo herë për “NRG Band” vazhdon me tempon e njëjtë të punës dhe pjesëmarrje nëpër koncerte të shumta në vende të ndryshme.