BERZH-i ndan 18 milionë euro për energji të pastër dhe të qëndrueshme

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), sot ka nënshkruar një kredi prej 18 milionë eurosh për parkun energjetik me erë të Kitkës.

Lajme

25/06/2019 17:23

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, tha se sot është një ditë e rëndësishme për sektorin e energjisë veçanërisht për energjinë e ripërtëritshme.

“Sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë dhe me rëndësi për sektorin e energjisë së ripërtëritshme në veçanti. Pra, sot u nënshkrua një marrëveshje e parë për financimin e një parku me erë të ndërtuar nga kompania Guris. Kjo hap mundësinë edhe për shumë projekte të tjera për t’i financuar në ardhmen”, theksoi ministri Lluka.

Fjalë rasti kanë mbajtur edhe zyrtarë nga BERZH, Harry Boyd-Carpenter, i cili tha se Kosova, e cila mbështetet në thëngjill për nevojat e veta energjetike, do të përfitojë nga energjia më e pastër dhe më e qëndrueshme nga parku i parë energjetik me erë në vend, raporton EO.

Sipas tij, mbështetja e BERZH-it për parkun me erë të Kitkës vijon pas angazhimit të suksesshëm me qeverinë e Kosovës për ta mbështetur më shumë energjinë e ripërtëritshme përmes sektorit bankar.

“Është projekt i madh për këtë vend meqë ofron dy gjëra të mëdha – e para, energji të pastër dhe të qëndrueshme për kohë të gjatë për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës dhe e dyta-  sjell investime të huaja, investitorë të fuqishëm dhe më përvojë, si dhe ide, kapital dhe fillime të reja për Kosovën”, deklaroi Boyd-Carpenter.

Ndërsa, Tarik Aygun nga grupacioni turk Guris tha se ky investim paraqet një moment historik drejt dekarbonizimit në një vend ku mungesa e qasjes së qëndrueshme në energji elektrike mbetet një nga barrierat më të mëdha ndaj zhvillimit.

“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu… Do mundohemi të bëjmë më të mirën për të kontribuuar për këtë vend”, tha Aygun.

Po ashtu gjatë kësaj ceremonie, u tha se shtimi i energjisë së ripërtërishme do të ndihmojë në adresimin e sfidës së dyfishtë të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe ndotjes së shkaktuar nga thëngjilli i linjitit që shfrytëzohet prej dy termocentraleve kryesore të Kosovës për energji elektrike.