Bernard Kouchner konfrontohet ashpër me një gazetar për Kosovën

Ish-kryeadministratori dhe dikur ministër i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner është konfrontuar ashpër në një debat në TV France 2 kur ka folur për Kosovën.

Bota

05/01/2015 23:57

Gazetari që ka mbuluar luftën në Kosovë, Aymeric Caron i ka thënë Kouchnerit se Kosova është shtet i dështuar dhe mafioz dhe për krerët e saj ka akuza për trafikim organesh.

“Ju jeni i sëmurë”, i ka thënë mes tjerash Kouchner duke iu përgjigjur: “Si mund të imagjinoni trafikim organesh në një vend ku spitalet nuk kanë pasur rrymë?”, ka thënë i nervozuar Kouchner, raporton Interaktiv në KTV.

Ai ka thënë se ishte vetë Parlamenti kosovar që kërkoi hetime pas raportit të Këshillit të Evropës.

Gazetari Caron ka ngritur pikëpyetje për nevojën e bombardimeve në vitin 1999, dhe madje ka pohuar se pos Putinit këtë e kundërshtonte edhe Ibrahim Rugova.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë”, ka thënë Kouchner. “Ne kemi intervenuar sepse në Kosovë zhvilloheshin masakra kundër popullatës civile”.

“Të gjithë kanë qenë pro sepse kishte luftë permanente kundër shqiptarëve të Kosovës. E kemi bombarduar Serbinë dhe mirë kemi bërë. Nuk është e vërtetë që Rugova ka qenë kundër, përkundrazi, ka qenë i pari që fuqishëm na ka përkrahur për bombardime. Pala kosovare ka qene unanime për intervenim”, ka thënë ish-kryeadministratori, transmeton Koha.net.

Sipas Kouchner, Perëndimi e kishte paralajmëruar Putinin se nuk do të lejonin largimin masiv të kosovarëve dhe vazhdimin e torturave dhe masakrave.

Diplomati francez ishte në emisionin e “France 2” për të promovuar librin e tij.