Bërnabiq thotë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, kërkon marrëveshje tjetër

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka theksuar edhe një herë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Lajme

04/11/2018 21:28

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë larg një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për paqe, pavarësisht gatishmërisë për të diskutuar edhe shkëmbyer eventualisht territoret me qëllim të gjetjes së zgjidhjes me Kosovën.

Bërnabiq, në një intervistë dhënë për “Financial Times”, ka folur edhe për shkëmbimin e territoreve por edhe për arritjen e një marrëveshje me Kosovën, transmeton lajmi.net.

Sipas kryeministres serbe, shkëmbimi i territoreve nuk do të ishte një marrëveshje e mjaftueshme e cila siguron paqe mes dy shteteve.

“Kutia e Pandorës u hap pikërisht 10 vjet më parë, kur vendet e njohën pavarësinë e Kosovës. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është mbyllja e Kutisë së Pandorës. Ju nuk mund të thoni se 10 vjet më parë kemi qenë të gatshëm për të ndryshuar kufijtë dhe sot nuk mund të flasim për ndryshimin e kufijve”, u shpreh Bërnabiq për “Financial Times”.

Sipas saj, zgjidhja e mundshme përfundimtare në mes të Serbisë dhe Kosovës do të mund të bëhej vetëm në një aspekt.

“Zgjidhja përfundimtare, nëse arrihet, do të duhet të jetë më gjithëpërfshirëse, duhet të përfshijë të drejtat e njeriut dhe të pakicave, bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunimin afatgjatë midis serbëve dhe shqiptarëve, mësimin e gjuhës dhe trashëgiminë kulturore, kishat dhe manastiret”, theksoi Bërnabiq, e cila shtoi se duke e parë situatën aktuale, pavarësisht se dëshiron që të arrihet sa më shpejt një marrëveshje, ajo thotë se, arritja e një marrëveshje është ende larg, transmeton lajmi.net.

“Unë mendoj se nuk jemi shumë afër marrëveshjes”, tha ajo.

Bërnabiq po ashtu në këtë intervistë ka thënë se pavarësisht se dialogu me Kosovën është duke u zhvilluar me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serbia nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Sipas kryeministres serbe, krerët shqiptarë të Kosovës bëjnë gabim të madh nëse mendojnë që dialogu me Beogradin do të rezultojë në njohjen formale të Serbisë për pavarësinë e Kosovës.

“Nëse ata mendojnë se Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës, është e qartë se kjo nuk do të ndodhë”, tha Bërnabiq, e cila shtoi se Serbia do të ishte në gjendje të bënte çfarëdo kompromisi tjetër me Kosovën, transmeton më tutje lajmi.net.

“Ata duhet të lëvizin nga pozita e tyre e rehatshme dhe të takohen në gjysmë të rrugës ku ne presim. Le të bëjmë një kompromis, çfarëdo qoftë kompromisi që kërkon”, shtoi ajo.

Tutje në këtë intervistë Bërnabiq ka thënë se, Serbia është sfiduar nga një qëndrim i guximshëm në Bruksel pasi njohja e plotë e Kosovës është një parakusht për pranimin e Serbisë në BE.

“Uniteti i qeverisë së BE-së për statusin e Kosovës do të thotë se marrëveshja afatgjate e normalizimit midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte e mjaftueshme për të lejuar hyrjen e Serbisë”, tha ajo, duke shtuar se është në interes të Serbisë që të arrihet një marrëveshje.

“Çdo ditë që humbim në këtë konflikt të ngrirë është dita që mund të arrijmë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të begatë për të gjithë ne”, u shpreh Bërnabiq.

Ajo po ashtu ka folur edhe për bisedën e saj me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi që e zhvilluan në Minks të Bjellorusisë.

Sipas Bërnabiqit, ajo çfarë ka diskutuar me presidentin Thaçi ka qenë qëndrimi i politikanëve kosovarë për vazhdimin e dialogut dhe për arritjen e një marrëveshje përfundimtare. /Lajmi.net/