Bërnabiq për Kosovën: Të fitojmë sa më shumë dhe të humbim sa më pak

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka folur për synimet e një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën.

Lajme

16/09/2019 10:50

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka deklaruar se një zgjidhje kompromisi është e vetmja mundësi për t’i dhënë fund çështjes së Kosovës.

Me të, ajo thotë se të dyja palët duhet ta fitojnë stabilitetin, të ardhmen më fatlume, paqen e qëndrueshme dhe prosperitet.

Bërbabiq ka thënë se për zgjidhjen e problemit të Kosovës duhet të parashihen të gjitha ato që i ka parashtruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ajo do të thotë se të dyja palët të humbin diçka, por edhe të fitojnë diçka.

“Në fakt, të fitojmë sa më tepër që mundemi, dhe të humbim sa më pak që mundemi”, deklaroi ajo për “Kurir”, transmeton lajmi.net.

Ajo ka përkujtuar se Vuçiq kishte guxim politik të ndryshojë kushtet e propozuara të marrëveshjes së mundshme mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Ishte një kohë e vështirë, aspak e mirë, në të njëjtën kohë kërkoheshin vendime të përgjegjshme. Me to përcaktohet një shqetësim i një gjenerate e cila është e vetëdijshme se ekziston rreziku që ta bart me vete një konflikt të ftohtë. Për fat të keq, shumë kohë dhe shumë mundësi kemi lëshuar për ta zgjidhur këtë çështje”, shtoi ajo.

“Sot për shkak të kësaj gjendemi në një situatë më të vështirë se që ishte rasti para 10 ose 15 vjetësh”, përfundoi Bërnabiq. /Lajmi.net/