Bërnabiq: Nëse evropianët dëshirojnë vazhdimin e dialogut, Kosova duhet ta heq taksën

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e shtetit të saj për dialogun me Kosovën.

Lajme

11/04/2019 18:03

Më 29 prill në Berlin do të mbahet Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku do të marrin pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, shkruan lajmi.net.

Po ashtu, Serbia në këtë Samit do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

E kjo e fundit, gjatë vizitës së saj në Dubrovnik të Kroacisë, ka folur për Samitin e Berlinit dhe për dialogun me Kosovën.

Siç shkruan “Tanjug”, transmeton lajmi.net, Bërnabiq ka thënë se nuk ka aq shumë shpresa nga Samiti i Berlinit, por që sipas saj, Serbia do të dëshmojë se është një partner i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i përkushtuar në rrugën e saj drejt stabilitetit në rajon.

Kryeministrja serbe, po ashtu ka thënë se pozicioni i Serbisë në lidhje me dialogun me Kosovën nuk do të ndryshojë.

Sipas Bërnabiqit, nëse partnerët evropianë dëshirojnë vazhdimin e dialogut, atëherë Kosova duhet ta tërheq taksën që ka vendosur ndaj Serbisë.

“Ne nuk kemi shpresa të mëdha. Ne jemi atje për të dëgjuar atë që ata kanë për të thënë. Pozicioni i Serbisë nuk do të ndryshojë dhe nëse duam të vazhdojmë dialogun, nëse partnerët evropianë duan të vazhdojnë dialogun midis Kosovës dhe Prishtinës, atëherë Kosova duhet ta tërheq vendimin për taksën”, deklaroi Bërnabiq në Dubrovnik.

Ndryshe ky takim i 29 prillit në Berlin do të udhëhiqet nga kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Po ashtu në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politika të jashtme, Federica Mogherini dhe komisioneri evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn. /Lajmi.net/