Berisha tregon prova: Frrokun e nxorën nga burgu Rama dhe Meta

Për ish kryeministrin Berisha, Arben Frroku, vëllai i deputetit tjetër Mark Frroku, doli nga burgu jo se ishte i pafajshëm por se Rama dhe Meta i dhanë urdhër gjykatësit ta shpallte të pafajshëm.

Lajme

07/04/2015 16:37

Berisha në një postim të publikuar në profilin e tij në Facebook, ka bërë të ditur se bazuar në disa informacioneve të ardhura nga një qytetar në adresë të tij, tregohen të gjitha lidhjet e Dritan Hallunit, (kreut të trupit gjykues që liroi Arben Frrokun), me Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Sipas këtij qytetari, dy kushërinjtë e Hallunit janë kryetarë të PS-së dhe LSI-së Shkodër, ndërsa disa të afërm të tjerë të tij janë drejtues të disa drejtorive të rëndësishme në këtë qytet.

“Të dashur miq, unë po e vendos si status me mirënjohje të thellë mesazhin e Franit, njërit prej nesh që më shkruan për lidhjet me Ramën dhe Metën të kryetarit të trupit gjykues që shpalli të pafajshëm Arben Frrokun duke hedhur poshtë dëshminë e atij që pa me sy dhe njohu vrasësin në vendin e ngjarjes dhe makinën me të cilën u krye vrasja dhe targën e saj! Mesazhi juaj u dëshmon shqiptarëve se Gjykatësi troc Halluni zbatoi vetëm porosinë e Ramës dhe Metës, që vranë për së dyti komisarin Lamaj,” thotë Berisha, ndërsa publikon edhe mesazhin e qytetarit nga Shkodra me emrin Fran.

Mesazhi i qytetarit

“Z. Sali Berisha nuk di a i ke marr vesh të mirat që i bën Edi Rama dhe Ilir Meta Dritan Hallunit në Shkodër për favoret e Arben Frrokut: Kryetar i Partisë Socialiste Shkodër – Andi Halluni (djali axhës Dritan Hallunit); Kryetari i LSI Shkodër – Senad Halluni (djali axhës Dritan Hallunit); Drejtori i OSSHEE Shkodër – Andi Halluni, Drejtori i repartit Maternitetit Spitali Rajonal – Senad Halluni; Përgjegjes Dogana Hani Hotit – Helidon Halluni Drejtoria e tatitmeve Shkodër – Kunati i Dritan Hallunit Drejtoria e Tatimeve shefe kontrollit – motra e Dritan Hallunit. Të gjithë fisin e Dritan Hallunit e kanë përkrah për të favorizu Arben Frrokun,” shkruhet në mesazh, ndërsa Berisha e falënderon për informacionin e dërguar.