Berisha Ramës: Santo ju telefonoi 10 minuta para vrasjes
Vrasjen e bankierit dhe biznesmenit Artan Santo e komentoi sot në Kuvendin e Shqipërisë edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Lajme
Duke e rikthyer vëmendjen tek vrasja e biznesmenit Santo, Berisha vlerësoi shteti ose nuk ekziston, ose atë e ka vrarë qeveria, pasi, sipas tij, nuk ka mundësi që vrasësit t’i shpëtonin postblloqeve të shumta atë ditë.
“Ky bankier i përkiste kryekëput të majtës shqiptare, por kjo nuk e kishte penguar të vazhdonte suksesin e tij, të ngrihej. Aty ku ai u vra, pse u vra para syve tanë? Aty ku u vra ishin pranë policët, 10 metra më tutje ishin 32 efektiva policie që mbronin zv/ministrin e Maqedonisë. Për të dalë nga Tirana, vrasësit duhet të kalonin nëpër vrima gjilpëre, pasi kishte 5 postblloqe a më shumë. Po si ikën ata? Kjo tregon se, ose e vrau qeveria ose shteti nuk ekziston. Kjo ishte evidente”, tha Berisha.
“Jam i bindur se po hetohet në mënyrë serioze, por qëndrimi juaj duke urdhëruar mediat tuaja, është trillim i juaji. Doni të poshtëroni nëpërmjet kufomës këtë vrasje. Kur flet prokuroria ka provat e veta, kur flisni para saj ju bëni çdo gjë për të prishur hetimet. Ai ju ka telefonuar ju para vrasjes, kjo është e sigurt, ai ju njoftoi juve dhe kryeministrin për motorin që e ndiqte. Ju telefoni 10 minuta para vrasjes, kjo është 100% e sigurt”, vijoi Berisha.