Berisha-Ramës: Nëse je patriot, ndërto hekurudhën Tiranë-Prishtinë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka komentuar sot deklaratat e kryeministrit Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe vizitën e pritshme të Hashim Thaçit në Serbi.

Lajme

20/04/2015 16:38

I pyetur për këto çështje nga KosovaPress, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët sot në Tiranë, Berisha tha se Rama po kërkon të bëjë patriotin vetëm për t’iu shmangur problemeve të ditës që po ndodhin në Shqipëri, siç është eksodi i shqiptarëve apo arrestimi i deputetëve Frroku dhe Doshi.

Berisha i kërkoi Ramës që për çështje të interesit kombëtar të flasë me vepra dhe jo me fjalë; siç do të mund të ishte ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Prishtinë, apo zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara mes palëve.

“Druaj shumë se këto deklarata janë të lidhura me Mark Frrokun, me eksodin, me Tom Doshin dhe me problematika të tilla që ky i lëshon si shashka për të mundur të tërheq vëmendjen. Interesi kombëtar madhor i shqiptarëve në këtë rrafsh janë sot marrëveshjet Prishtinë-Beograd. Këto janë në krye të listës së interesit kombëtar, dhe Shqipëria duhet të jetë një faktor kontribues në mundësitë dhe jo çkontribues. Pra interesi i shqiptarëve është në mënyrë të padiskutueshme konkretizimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi. Rama le të paraqesë projektin e hekurudhës me Prishtinën. Hekurudha është jetike për Kosovën edhe për Shqipërinë është e dobishme se hekurudha nga Mal i Zi nuk është kaq fizibël për ne, kurse një hekurudhë Tiranë-Prishtinë të nxjerr në Europën Qendrore në segmentin më të shkurtër. Ka dy vjet s’ka asnjë projekt. U tall një vit me abetaren që ishte themeli i atij procesi. Lidhjet e tensionit është e jona, komplet e jona, edhe tenderimi i dytë është bërë nga qeveria ime. Ditën që deklaroi se hoqëm doganat atë ditë u ndaluan tifozët më shumë se kurrë në doganë. Problemi është se të gjitha i ka këto deklarata për të shpërndarë tymnajë; për të justifikuar zhbërjen e standardeve që po realizon dhe shkarjen mbrapa. A po shkasim ne mbrapa? A janë eksodet dëshmi e shkarjes sonë mbrapa”, tha Berisha.

Lidhur me vizitën e Hashim Thaçi në Beograd, Berisha kritikoi qëndrimin e qeveritarëve serb që nuk e mirëpresin këtë vizitë dhe madje flasin me gjuhën e Millosheviqit dhe Sheshelit, për arrestimin e tij.

Duke iu rikthyer edhe një herë vizitës që Rama bëri në Beograd pak kohë më parë, Berisha tha para mediave se Rama i gënjeu shqiptarët e Preshevës, duke thënë se firmosi marrëveshjen për njohjen e diplomave.

“Përsa i përket deklaratve të Vuçiq e të këtyre të tjerëve, më kujtojnë kohërat e Millosheviqit, dhe më vjen shumë keq që flas në këtë mënyrë, sepse këta kanë një histori tjetër, kanë ardhur, janë zgjedhur, etj si këto. Por të ngrihen tani e të thonë se do arrestojmë Hashim Thaçin. Si mund të arrestohet kur kanë disa marrëveshje të përbashkëta, këtë mund ta thonin vetëm mendje të rrjedhura, si Millosheviqi dhe Shesheli. Çdo të thotë kjo, aktet e Millosheviqit mban ti në sirtar? Së dyti interesi tjetër i shqiptarëve është Presheva. Zotëria shkoi dhe i mashtroi, në Preshevë, iu tha se arrita marrëveshjen për njohjen e diplomave. Absolutisht asgjë nuk arriti, vetëm dëgjoi mandolinën e Daçiq, kaq. Mosnjohja e diplomave bën që të shkolluarit nga Presheva të largohen nga Presheva”, tha më tej Berisha.