Berisha komenton letrën e Ramës: Duhet hedhur në plehra

Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se në letrat publike të Edi Ramës drejtuar Lulzim Bashës, Kryeministri i ka shpallur luftë popullit opozitar.

Lajme

23/05/2019 21:27

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Berisha theksoi se letra e dytë e Ramës duhet të hedhur në kosh.

Sipas ish-Kryeministrit, Rama nuk mban asnjë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

“Ai është i vetmi shqiptar sot mbi tokë që nuk ndjen asnjë përgjegjësi për krizën e krijuar, që gjithçka e projekton, e nxjerr tek kundërshtari. Të shkruash letër duke nxjerrë të gjithë vrerin te kundërshtari, kësaj i thonë të ftosh duke vjellur vrer te kundërshtari.

Ai i shpall luftë popullit opozitar. Tregon vetëm një trashëgimtar primitiv të etërve të tij ku thotë se do të jetë një ogur i mirë që ky grupim të zhduket. Ai kthehet në instiktin e hakmarrjes atërore.

Nuk mundet kurrë një kryetar qeverie të thotë se do jetë ogur i mirë zhdukja e opozitës. Imagjinoni se cilin keni Kryeministër. Keni një bastard të etërve të tij mizorë që e mbajtën vendin….Që në këtë moment ajo letër është për t’u hedhur në kosh të plehrave“, tha Berisha.