Beqiri: Presim pëlqimin e Haradinajt

Vendimi i Bllokut për heqjen dorë nga posti i Kryeparlamentarit rrjedhimisht e ka prishur marrëveshjen fillestare të 10 qershorit. 

Lajme

13/11/2014 19:10

LDK, si partia me fuqi më të madhe politike brenda Bllokut, tashmë po kërkon që posti i Kryeministrit t’i takojë asaj. Ndërkaq, zyrtarë të AAK-së po insistojnë që ky post t’i takojë liderit të tyre, Ramush Haradinajt, ashtu siç ishin marrë vesh paraprakisht më 10 qershor.

Sektari i Përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri, në një bisedë për Politiko.net  shprehet i bindur se do të ketë shumë shpejt një marrëveshje politike dhe se do ta kenë pëlqimin edhe të Ramush Haradinajt që posti i Kryeministrit t’i shkojë LDK-së.

“Kanë qenë deklarimet e z. Mustafa dhe z. Haradinajt se nëse marrëveshja nuk implementohet si e tërësishme, atëherë nuk mund të ekzistojë si e tillë”.

“Jemi të bindur se kjo punë do të rregullohet. Do të ulen liderët e koalicionit shumicë paszgjedhor dhe do ta arrihet kjo marrëveshje”.

“Tani është kërkesë legale e LDK-së që ta kemi Kryeministrin dhe besojmë plotësisht se do të kemi mirëkuptimin dhe pëlqimin e z. Haradinaj”.

“Ashtu siç është arritur marrëveshja me 10 qershor, marrëveshje e tillë do të arrihet mes liderëve dhe nuk kemi nevojë që të bëjmë zhurmë për këtë”, ka thënë Beqiri për Politiko.net.