Beqiri: As LDK nuk i shkon në takim Brovinës

LDK nuk do të marrë pjesë në takimin konsultativ me kryesuesen e seancës konstituive të Kuvendit, Flora Brovina.

Lajme

02/09/2014 20:12

Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ismet Beqiri, duke thënë se Brovina nuk ka kompetenca që të takohet me liderët e partive dhe se detyra e saj është vetëm që të thërras vazhdimin e seancës konstituive.

“Nuk është kompetencë e Flora Brovinës t’i thërras në konsultime liderët e partive politike. Nuk kemi çka të konsultohemi sepse rregullat janë të qarta. Brovina duhet të thërras seancës sepse e vetmja punë e saj është kjo, nëse nuk e thërret ajo, atëherë, ne e thërrasim”, ka thënë Beqiri, për Gazetën Express.

“S’kemi asnjë arsye të shkojmë në një konsultim të tillë sepse s’kemi për cka të konsultohemi”, ka shtuar ai.

Beqiri ka thënë se kërkesa e sotme e PDK-së për një marrëveshje është e palogjikshme, pasi marrëveshja ekziston mes partive kryesore politike për ndërtimin e institucioneve.

“S’kemi arsye të shkojmë sepse s’kemi për cka të konsultohemi dhe as të merremi vesh ashtu qysh po kërkon PDK. Kjo është përgjigja e LDK-së se PDK s’mund të na tregojë se ku duhet të shkojmë për konsultime”, ka thënë ai për Express.