Beogradi s’e do maternitetin në Preshevë

Rreth 400 fëmijë nga Presheva lindin në vit në Siptalin e Vranjës. Derisa Presheva ka arritur të ketë të gatshëm maternitetin, Ministria e Shëndetësisë në Beograd nuk dëshiron të dëgjojë kërkesat e shqiptarëve për shtim të kuadrove.

Lajme

11/11/2014 08:23

Para dy ditësh i erdh në jetë vajza e tij R. Rrahmanit nga Presheva. Është gëzuar tej mase që është bërë baba.

Por, ai kishte disa sfida teksa e kishte dërguar bashkëshorten e tij të lindë në Spitalin e Vranjës.

“Në spitalin e Vranjës ka dallime dhe diferencime etnike për shqiptarët”, thotë Rrahmani, raporton Zëri.

Ai tregon se gjithë shqiptarët që dërgojnë për lindje gratë e tyre në Vranjë, detyrohen t’u japin mjekëve ryshfet.

“Ndryshe, nuk mund të gjendesh atje, sado që profesionalisht janë në rregull”, thotë preshevari rreth të tridhjetave.

Ai tregon se gjuha është problem kryesor me të cilin ballafaqohen gratë që shkojnë në lindje.

“Infermieret, por edhe mjekët nuk hezitojnë t’iu thonë: Kur jetoni në Serbi, patjetër duhet të dini edhe serbisht. Kështu shpesh krijohen probleme dhe keqkuptime në komunikim”, thotë Rrahmani. 

Për hapjen e maternitetit në Preshevë nevojitet punësimi i shtatë gjinekologëve dhe 13 infermiereve (mami), por Ministria e Shëndetësisë e Serbisë deri më tani nuk e ka marr as mundin t’ju kthejë përgjigje autoriteteve shëndetësore në Luginë.