Beogradi mund të sqarojë
Ministri Enver Hoxhaj thotë se i takon Qeverisë së Serbisë ta sqarojë vrasjen e Policit të EULEX’it.
Lajme
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se i takon Qeverisë së Serbisë të sqarojë vrasjen e javës së kaluar të oficerit të Bashkimit Europian, në Veriun e Kosovës.
Në një intervistë për gazetën prestigjioze amerikane “The Wall Street Journal”, Ministri Hoxhaj ka thënë se vetëm Beogradi mund ta ndriçojë plotësisht këtë ngjarje.
Gjatë intervistës të zhvilluar në New York, të dielën, në prag të javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, Hoxhaj ka thënë se megjithëse nuk ekzistojnë prova të drejtpërdrejta që e lidhin Beogradin me vrasjen e doganierit 35 vjeçar nga Lituania, kontrolli efektiv disavjeçar i Beogradit në veriun e Kosovës, nënkupton se autoritetet serbe duhet të sqarojnë gjithçka që ata dinë rreth grupeve apo individëve në atë rajon, të cilët mund të jenë të përfshirë.
“Serbia e ka informacionin e saktë rreth njerëzve, rreth strukturave të krimit të organizuar në veri, rreth motiveve të atyre njerëzve”, ka thënë Hoxhaj.
(Kosovapress)