Beogradi mbyll arkivin shtetëror, “për të fshehur krimet komuniste”

Shteti serb ka pamundësuar qasjen në dokumentet e arkivit shtetëror, ku gjenden edhe të dhënat e BIA-s, shërbimit sekret serb. Në dokumentacion nuk ka qasje nga 6 tetori dhe kështu do të jetë deri më 8 janar 2015. 

Lajme

04/11/2014 23:34

Arsyeja zyrtare për mbylljen e arkivit shtetëror janë “punimet në riparimin e depove në mënyrë që të sigurohen kundër zjarrit”, shkruan gazeta Blic e beogradit. 

Në anën tjetër, historianët këtë akt e vlerësojnë si shumë të jo rëndomtë, kurse disa syresh dyshojnë për fshehje të dokumenteve.

Në Arkivin e Serbisë gjendet edhe dokumentacioni i BIA-s, në të cilën ka pasur qasje vetëm në rast të hulumtimeve shkencore dhe komisioneve shtetërore. Ekzistojnë edhe rreth 80,000 dosje personale, kopjet e të cilave mund t’iu dërgohen vetëm gjykatave për procedura të rehabilitimit.

Mirëpo, si disa historianë, ashtu edhe ndonjë politikan opozitar mendojnë se qëllimi i gjithë kësaj është fshehja e krimeve nga ana e komunistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.