Beogradi i shqetësuar nga deklarata e Thaçit për gjenocid në Kosovë

Qeveria serbe dënon deklaratën e Kryeministrit të Kosovës se forcat serbe kryen gjenocid në Kosovë. Sipas Beogradit, këto janë deklarime “të papërgjegjshme dhe të pasakta nuk i kontribuojnë pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve”

Lajme

27/03/2014 16:24

Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën e ka dënuar deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi se forcat serbe kryen gjenocid në Kosovë. Kjo Zyrë tërheq vërejtjen se “pohimet e papërgjegjshme dhe të pasakta nuk i kontribuojnë pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve”, transmeton Koha.net kumtesën.

“Shteti i Serbisë, Qeveria dhe Zyra për Kosovën e Metohinë vazhdimisht kanë insistuar që secili që ka bërë krime, pavarësisht nga përkatësia kombëtare dhe fetare, duhet të përgjigjet. Pikërisht nga ky shkak, Kolegji për krime lufte i Gjykatës së lartë në Beograd për krimet në Suharekë ka dënuar me burgime shumëvjeçare katër ish-policë serbë”, thuhet në komunikatën e kësaj zyre.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi të mërkurën, gjatë rivarrimit të eshtrave të 27 shqiptarëve në Suharekë, të vrarë 15 më parë, tha se forcat serbe “kanë bërë gjenocid”.

“Por, pyesim Thaçin dhe bashkësinë ndërkombëtare, si t’i quajmë krimet masive ndaj serbëve në Kosovë e Metohi, për të cilat askush nuk është përgjigjur dhe autorët e tyre me dekada janë pa emra e mbiemra? Si të quajmë rrëmbimin e 300 serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë, që, sipas raportit të Dick Martyt, janë transportuar në Shqipëri ku më vonë u janë nxjerrë organet dhe shitur gjithandej nëpër Europë?” shfrytëzon rastin Beogradi që përmes këtij reagimi të mbulojë krimet e veta me akuza të rreme ndaj shqiptarëve.

Zyra thotë se këto akte “është pak të quhen gjenocid, meqë krime të tilla nuk mbahen në mend në territorin e Europës së qytetëruar”.

Në lidhje me deklaratën e Thaçit, sipas të cilës SHBA dhe BE të bëjnë presion mbi Beogradin që të zbardhet fati i të zhdukurve në Kosovë, Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën pajtohet plotësisht se duhet të gjenden të gjitha lokalitetet ku dyshohet se ka mbetje mortore të viktimave të luftërave jugosllave, pra edhe të luftës në Kosovë, përfundon komunikata. (Rtklive)