Beogradi i pafuqishëm ndaj FAK
Qarqet analitike në Beograd thonë se formimi i FAK’ut është çështje e përfunduar. Analisti, Bojan Dimitrijevic, vlerëson se Beogradi nuk ka çfarë të bëjë lidhur me këtë çështje. Sipas tij, kjo forcë do të themelohet më shumë për misione paqeruajtëse.

Lajme
Analisti serb për çështje të ushtrisë, Bojan Dimitrijevic, ka vlerësuar se me formimin e ushtrisë Kosova do të përmbyllë shtetësinë e saj.
Në një intervistë për B92, ai tha se legalizimi i këtyre forcave ka filluar para më shumë se një vjet dhe Beogradi nuk ka çfarë të bëjë në këtë aspekt.
“Legalizimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është një çështje që ka filluar më herët dhe është vetëm çështje kohe se kur do të bëhet ajo dhe me këtë do të përmbyllet çështja e shtetësisë së Kosovës”.
“Mendoj që Prishtina ka zgjedhur një moment të mirë pasi këtu është duke vijuar fushata zgjedhore dhe opinioni publik është i ngarkuar me tema tjera, kështu që Beogradi nuk do të ketë hapësirë për ndonjë reagim të ashpër, përveç grupit bisedues serb në Bruksel”.
“FAK ekzistojnë para më shumë se ni vjet dhe nuk do të mund të ndryshohet gjendja, pasi që është vetëm çështje kohe se kur do të bëhet emërimi i saj”.
Dimitrijevic tha se këto forca nuk do të kenë ndonjë rol në Veri të Kosovës.
“Legalizimi i këtyre forcave nuk do të ketë ndonjë ndikim në veri, për shkak të pjesëmarrjes së bashkësisë ndërkombëtare atje”.
“Mua më duket se ky është hap i cili flet më shumë për shtetësinë e Kosovës dhe këto forca do të formohen jo për intervenim në Veri, por ndoshta për pjesëmarrje në ndonjë mision paqeruajtës ndërkombëtar që do të jetë si promovim i shtetësisë së Kosovës në nivelin ndërkombëtar”.