Bekim Haxhiu: MSH nuk i shfrytëzoi kontaktet që ia dhash për vaksina, as email nuk kanë dërgu

Përballja me virusin COVID-19 vetëm sa shkon e bëhet edhe më e vështirë, e gjithë kjo për shkak të mungesës së vaksinave antiCOVID.

Lajme

05/05/2021 20:57

Qytetarët e Kosovës janë nga të paktët shtetas nëpër botë të cilët nuk kanë arritur ende të vaksinohen me vaksinën kundër koronavirusit.

Kosova pranoi si fillim 24 mijë doza të vaksinës së lloji AstraZeneca, ndërsa dje Bashkimi Evropian solli në Kosovë afro 5 mijë vaksina të llojit Pfizer.

Nga këto vaksina po arrihet të vaksinohen vetëm një pjesë e stafit shëndetësore, teksa qytetarë e tjerë mbeten nën rrezikun e infektimit dhe përhapjes së këtij virusi.

Por siç duket Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria Kurti pavarësisht deklarimeve për vaksina po vazhdojnë të jenë neglizhentë ndaj kësaj çështje.

I kontaktuar nga lajmi.net deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu deklaroi se pavarësisht që u kishte ofruar kontaktin e kompanisë për sigurimin e vaksinave antiCOVID, Ministria e Shëndetësisë nën drejtimin e Arben Vitia nuk është marrë fare me këtë çështje.

Madje Haxhiu tha se u ka përcjellur kontaktet MSH-së dhe i ka informuar se kompania është në pritje e sipër për kontakt me këta të fundit.

Pavarësisht kësaj tash e një muaj, MSH nuk mori mundin që të dërgojë as edhe një email në drejtim të kësaj kompanie.

“As edhe një email-kërkesë nuk i është dërgu kompanisë nga Ministria e Shëndetësisë. I kanë marrë kontaktet të cilët ia kemi përcjell, i kanë parë se janë serioze dhe më pas asgjë as nuk kanë dërgu një email apo kërkesë në kompaninë në fjalë. Ju kam dërgu shkresë se kompania është duke iu pritur, por as mu s’më janë përgjigj më.I kam informu se kompania është në pritje dhe është çështje emergjente, por këtyre të fundit nuk i ka bërë përshtypje”, tha Bekim Haxhiu.

Madje ai theksoi se MSH nuk po i bëhet vonë për negociatat për sigurimin e vaksinës antiCOVID.

“Domethënë s’kanë marrë mund as email me dërgu, e me u marr me negociata për vaksina.Ka kaluar më shumë se tri javë që nga takimi dhe kur i kam dërgu edhe email me të dhënat zyrtare, por s’është bërë asgjë. Pra të dielën e kaluar janë bërë tri javë, këtë të diele bëhen një muaj e ministria nuk ka marrë asnjë hap.Është neglizhencë totale e ministrisë dhe Qeverisë Kurti për sigurimin e vaksinave.As kontratën me Pfizer nuk e kanë nënshkruar as asgjë, as nuk janë përgjigjur në mundësinë e sigurimit të këtyre vaksinave”, shtoi Haxhiu.

Në fund deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së tha se nga Qeveria Kurti janë edhe të paditur edhe neglizhentë.

“Janë të paditur dhe neglizhentë”, tha ai.

Ndryshe Bekim Haxhiu kishte ofruar kontaktin me një kompani për sigurimin e vaksinave antiCOVID, e sipas tij oferta ishte të siguroheshin nga 500 mijë deri në 3 milionë vaksina Pfizer për qytetarët e Kosovës.

Gjatë ditës së sotme janë konfirmuar edhe katër raste të vdekjes dhe janë regjistruar edhe 153 raste të të infektuarve me koronavirus.

Pavarësisht se numri i të infektuarve me koronavirus pati rënie, spitalet e Kosovës vazhdojnë të jenë përplot me pacientë që po marrin trajtim pas infektimit me këtë virus./Lajmi.net/