Behrami: Ndihem zviceran dhe kosovar

Valon Behrami nuk e ka mohuar asnjëherë prejardhjen e tij. Mesfushori i Napolit vjen nga një familje nga Kosova, por është rritur në Zvicër. Ai nuk e harron asnjëherë atë që i ka dhënë shteti helvetik, prandaj edhe zemra e tij është ndarë në dysh. “Unë ndihem edhe zviceran edhe kosovar. Mirëpo, vajza ime është…

Sport

26/02/2014 13:01

Valon Behrami nuk e ka mohuar asnjëherë prejardhjen e tij. Mesfushori i Napolit vjen nga një familje nga Kosova, por është rritur në Zvicër.

Ai nuk e harron asnjëherë atë që i ka dhënë shteti helvetik, prandaj edhe zemra e tij është ndarë në dysh.

“Unë ndihem edhe zviceran edhe kosovar. Mirëpo, vajza ime është tashmë një napolitane”, ka thënë Behrami një intervistë për Piuenne.

Së fundmi, ai e mori epitetin e ambasadorit të Kosovës. Për të, ky çmim ishte një nder dhe insiston se Kosova ka nevojë për mesazhe pozitive.

Gjithashtu, mesfushori mitrovicas thotë se ndihet i lumtur në Napoli. Futbollisti kosovar iu bashkua skuadrës italiane dy sezone më parë nga Fiorentina dhe tashmë është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit të Rafael Benitezit.

Përfaqësuesi zviceran po e shijon çdo moment në ‘San Paolo’ dhe duket se nuk e ka ndërmend të largohet, përkundër spekulimeve se ai mund t’i bashkohet Interit gjatë kësaj vere.

“Të jesh në Napoli është unike, që shkon përtej futbollit. Nuk e prisja një gjë të tillë. Duke jetuar në këtë qytet, më bën ta kuptoj se sa është e rëndësishme kjo skuadër. E kam kuptuar se sa e vështirë është t’i ‘lëndosh’ këta njerëz”, deklaroi Behrami në një intervistë për Piuenne.

“Kur kam ardhur në Napoli, kishte shumë skepticizëm në ‘llogarinë’ time, por më pas ka ndryshuar gjithçka. Kam arritur t’i rrëmbej tifozët”, vijoi ai.

Sa i përket ngjyrës së flokëve, ai ka thënë se kjo është një zgjedhje personale dhe nuk do ta ndryshojë derisa të jetë futbollist.