Behgjet Pacolli është në dilemë: Kryeministër i kujt është Isa Mustafa?

Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, të mërkurën në mëngjes përmes profilit të tij në Facebook ka kërkuar përgjigje nga Isa Mustafa, në pyetjen: Kryeministër, a jeni ju edhe kryeministër i pjesës së qytetarëve që nuk janë LDK?

Lajme

04/02/2015 10:05

“Kryeministri Isa Mustafa është kryeministri i Kosovës, pra është dhe kryeministri im. Mediat spekulojnë nëse e ka ai autoritetin e plotë për të vepruar ose jo, por ky nuk është problemi im. Problemi ynë, problemi i të gjithëve janë punët që kryen ai, ndërsa Kosova ka shumë nevojë për drejtim në zgjidhjen e shumë problemeve të qytetarit. Kosova ka nevojë për orientim në zhvillimin e vet që vjen prej kryeministrit, i cili duhet të jetë i të gjithëve dhe jo i një partie”, ka shkruar Pacolli.

“Më vjen keq ta them, por në pesëdhjetë ditë kryeministri ynë ka bërë fare pak: ka zhvilluar disa mbledhje qeverie dhe ka ndonjë pjesëmarrje në Kuvend. Si vizitor ai ka shkuar në disa degë të LDK-së, dhe nuk ka kurrfarë agjende ndërkombëtare”.

“Në 35 ditë si President unë vizitova Shqipërinë ku shpalla platformën e Unionit Ekonomik Kombëtar dhe Maqedoninë. Kisha ftesa nga homologët e mi italianë dhe francezë. Priteshin vizita presidenciale dhe në Austri dhe Gjermani. Vizitova veriun e vendit disa herë, u takova me ndërmarrës të ndryshëm, vizitova familje të thjeshta, prita mysafirë të shquar nga vendi dhe bota”, ka shkruar ish-presidenti, i cili ishte larguar nga pozita e kryetarit të Shtetit për shkak të shkeljes së procedurave nga ana e Kuvendit të Kosovës në përzgjedhjen e tij.

Pacolli, partia e të cilit nuk arriti të kalojë pragun në zgjedhjet e fundit parlamentare ka shtruar edhe disa pyetje të tjera që kanë të bëjnë me punën e Mustafës si shefi i Qevrisë së Kosovës, të cilat mund t’i lexoni më poshtë:

A do duhej nxitur ndërmarrësia vendore prej kryeministrit nëpërmjet vizitave në biznese?

A duhet të kishte filluar jetësimi i platformave të zhvillimit prej qeverisë së tij premtuar në fushatë, nëpërmjet zbatimit të ligjeve ekzistuese dhe hartimit të ligjeve të reja?

A do implementohen zonat e lira ekonomike dhe financiare ku do punësoheshin shumë qytetarë?

A do lobohet për liberalizim të vizave?

Jablanoviq u hoq dhe ky ishte veprim i mirë. Por e keqja e Kosovës, siç ka thënë vetë Kryeministri, nuk është Jablanoviqi. A do ta luftojë të keqen e Kosovës kryeministri ynë me qeverinë e vet?