Befasia Suarez
Luis Suarez debutoi për Barcelonën në fitoren 6:0 ndaj Club Leon në Joan Gamper Trophy, të hënën mbrëma. Por, shumëkush u befasua pse sulmuesi uruguaian u paraqit për gjigantin katalan.
Sport
Duket se qindra shfrytëzues të rrjetit social Twitter nuk e kuptuan vendimin e Gjykatës Arbitrare për Sport (CAS) sa i përket zbutjes së dënimit të sulmuesit Luis Suarez.
Ylli uruguaian ishte dënuar fillimisht me katër muaj moslojë dhe mospërfshirje në asnjë aktivitet të futbollit përfshirë miqësoret dhe stërvitjet, nga FIFA.
Por, javën e kaluar, CAS i lejoi atij që të stërvitet me ekipin dhe të paraqitet në miqësore, mirëpo konfirmoi dënimin se ai nuk do të ketë të drejtë të luajë deri më 26 tetor.
Andaj, Suarez debutoi për Barcelonën në fitoren 6:0 ndaj skuadrës meksikane Club Leon në kuadër të Joan Gamper Trophy.
Por, paraqitja e tij befasoi shumëkënd që shprehën habinë e tyre në Twitter se pse Suarez është duke luajtur për Barcelonën kur është i dënuar.