“Bedelët nëpër degë” – Përkundër dorëheqjes së Krasniqit, Lladrovci mbetet i pakënaqur: Nuk po adresohet përgjegjësia e organizimit

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci që u nda nga PDK-ja në zgjedhjet lokale, nuk është ende i kënaqur me zhvillimet që ndodhën së fundmi në këtë parti. Përkundër që dha dorëheqje kryetari i partisë, Memli Krasniqi, Lladrovci është i zhgënjyer që “nuk po adresohet përgjigjësia e organizimit dhe strukturës së partisë, për bedelët…

Lajme

14/11/2025 15:18

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci që u nda nga PDK-ja në zgjedhjet lokale, nuk është ende i kënaqur me zhvillimet që ndodhën së fundmi në këtë parti.

Përkundër që dha dorëheqje kryetari i partisë, Memli Krasniqi, Lladrovci është i zhgënjyer që “nuk po adresohet përgjigjësia e organizimit dhe strukturës së partisë, për bedelët nëpër degë, apo për dështimin kapital për të bërë opozitë kundër qeverisjes aktuale”, transmeton lajmi.net.

Ai tha se momentalisht nuk është në Kosovë, por do të vazhdoj të përcjell zhvillimet në Kuvendin e PDK-së që mbahet të hënën.

“Pres që kandidati për kryetar të PDK-së ta ketë Platformën dhe deklaratën politike, pres ta prezantoj kryesinë e ngushtë dhe të gjerë e cila do të jetë e aftë ta largojë qeverinë aktuale nga degradimi i mëtejmë i shtetit.”, tha ndër të tjera në postimin e tij Lladrovci.

Postimi i plotë:

Dy ditë, deklarime, përgëzime dhe urime nga drejtues qendror e lokal të PDK-së dhe qytetarë, kanë vënë në pah të kaluaren dhe zotimin për unitet, pas dorëheqjes së z. Krasniqi. Qëndrime miqësore e me mirëkuptim, është e kuptueshme.
Megjithatë, nuk po adresohet përgjegjësia e organizimit dhe strukturës së partisë, për bedelët nëpër degë, apo për dështimin kapital për të bërë opozitë kundër qeverisjes aktuale që është më e keqja që nga çlirimi.
Për hir të unitetit, nuk po thuhet se ku u gabua, pozita dhe opozita më e madhe në Drenas janë PDK, vendimmarrësit nuk duan të cekin ende se PDK ka fituar në shtatë komuna.
Vepra ime jetësore është e pandashme nga Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe atdhetarët tjerë, ky fakt nuk do të duhej të keqpërdorej.
Pres që kandidati për kryetar të PDK-së ta ketë Platformën dhe deklaratën politike, pres ta prezantoj kryesinë e ngushtë dhe të gjerë e cila do të jetë e aftë ta largojë qeverinë aktuale nga degradimi i mëtejmë i shtetit.
Megjithëse nuk jam në Kosovë, zhvillimet në Kuvendin e PDK-së të hënën do ti ndjek me interesim, duke pritur përgjigjen se cila është rruga e partisë së heronjve tanë të luftës dhe paqes.
PDK është vetë liria dhe shteti i Kosovës!/lajmi.net/