Bebet e ndërruara në lindje

Dy vajza të sapolindura e të ndërruara në lindje u ribashkuan pas tri javësh, kur nënat e tyre u takuan rastësisht në klinikë, ku kishin shkuar për kontroll dhe e kuptuan gabimin.

Lajme

27/10/2013 11:14

Dy vajza të sapolindura e të ndërruara në lindje u ribashkuan pas tri javësh, kur nënat e tyre u takuan rastësisht në klinikë, ku kishin shkuar për kontroll dhe e kuptuan gabimin

Dy nëna argjentinase janë ribashkuar me vajzat e sapolindura, pasi kaluan tri javë duke u kujdesur pa dijeni, për fëmijët e njëra-tjetrës, që ishin ndërruar në lindje.

Për Maria Lorena Gerbenon, (37), një avokate nga San Huan, e tëra filloi si një dyshim që diçka nuk ishte në rregull me vajzën e saj. Por, ajo dhe Veronika Tehada lindën dy vajza të shëndetshme më 30 shtator në klinikën private ‘Sanatorio Argentino’, në San Huan

Gerbeno, që ka, gjithashtu, edhe dy fëmijë më të mëdhenj, e lindi vajzën e saj me prerje cezariane dhe menjëherë pasi lindi vajza e saj, mjekët i thanë se ajo kishte një peshë prej 3 kilogramësh.

Sidoqoftë, më vonë kur ia dhanë vajzën asaj në dorë, stafi mjekësor i tha se ajo peshonte pothuajse 4 kg (3.7 kg) dhe i  thanë se ajo ishte lindur në mënyrë natyrale e jo me prerje cezariane.

‘U thashë se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se duhet të kisha keqkuptuar, por asnjëherë nuk mora përgjigjet e mia’, kujton Gerbeno, transmeton Kosova Sot.

Sipas nënës së tre fëmijëve, faktet thjesht nuk përputheshin dhe ishte pastaj edhe instinkti i saj amësor që i thoshte se diçka nuk është në rregull.

Ndjenja e vazhdueshme e dyshimit u kthye në diçka të sigurt kur sikur të ishin në një film të Bollivudit hindus, Gerbeno u takua me Veronika Tehadën në një klinikë, ku kishin ardhur të dyja për t’u kontrolluar.

Nënat filluan të bisedojnë dhe shumë shpejt e kuptuan se pesha e fëmijëve të tyre ishte e njëjtë.

E përkushtuar për të gjetur të vërtetën, Gerbeno bëri një ankesë kriminale dhe një gjykatës urdhëroi  një testim të ADN’së, që konfirmojë javën e kaluar se bebet ishin ndërruar në mënyrë aksidentale në lindje.

Në përgatitje për ndërrimin e tyre këtë javë, Gerbano dhe Tehada kishin biseduar në telefon dhe kishin shkëmbyer fotografi të bebeve të tyre.

“Kam kaluar tri javë me një bebe që nuk ishte vajza ime, por ia dhashë tërë dashurinë që kisha dhe e di që edhe nëna tjetër e ka bërë të njëjtën  gjë me beben time”, tha Lorena Gerbano.

Të hënën të dyja gratë dhe burrat e tyre u takuan më në fund në gjykatë për t’u ribashkuar me fëmijët e tyre.

Klinika private :San Juan” ka pranuar që ka ndodhur një gabim dhe ka ofruar bashkëpunimin e vet në këtë hetim.