BE zgjat sanksionet ndaj regjimit në Siri

Bashkimi Evropian ka vendosur një ditë më parë që të zgjasë edhe një vit sanksionet e vendosura ndaj regjimit të Bashar al Assad.

Bota

29/05/2018 15:54

Në deklaratën nga Këshilli i BE-së është bërë e ditur se masat kufizuese ndaj regjimit sirian janë zgjatur deri më 1 qershor të vitit 2019.

Nga BE-ja thuhet se vendimi për zgjatjen e masave kufizuese është marrë për shkak të shtypjeve të regjimit ndaj popullit civil, ndërsa janë përditësuar edhe institucionet dhe personat në listën e sanksioneve.

Në deklaratë më tej bëhet e ditur se ndaj 67 institucioneve dhe 259 personave pro-regjimit janë zbatuar sanksione të ndalimit të udhëtimit dhe ngrirja e aseteve, ndërsa theksohet se 4 prej këtyre kanë kontribuar në zhvillimin e përdorimit të armëve kimike ndaj civilëve në Siri.

Mes sanksioneve të BE-së ndaj regjimit gjenden embargo të naftës, ngrirja e aseteve të Bankës Qendrore të Sirisë që gjenden në BE, si dhe ndalimi i importeve të pajisjeve që mund të ndihmojnë regjimin për të rritur presion.