BE voton në qershor për mandatin e ri të EULEX-it

BE ka hartuar planin për mandatin e ri të EULEX-it në Kosovë. Sipas këtij plani, EULEX do të vazhdojë të merret me çështjen e krimeve të rënda, ndërsa do të ketë mision vëzhgues në raste tjera. 

Lajme

13/05/2014 15:41

Shtetet e Bashkimit Europian kanë arritur marrëveshje për mandatin dyvjeçar të Misionit të EULEX-it në Kosovë.

Në bazë të kësaj marrëveshje, EULEX do të ketë kompetenca zhvillimin e hetimeve dhe gjykimit të krimeve të luftës, krimeve të rënda, korrupsionit dhe rasteve të privatizimit.

Kështu ka deklaruar për agjencinë serbe të lajmeve, Beta, një burim brenda BE-së, i cili ka bërë të ditur se nga 1.050 gjykatës, prokurorë, policë dhe doganierë, EULEX tash e tutje do të ketë tetëqind pjesëtar në Kosovë.

Sipas rekomandimeve të dokumentit për mandatin e ri të EULEX-it të harmonizuar nga BE, të cilin e ka pasur në posedim agjencia serbe Beta, thuhet se “mandati i EULEX-it do të duhet të përqendrohet më shumë në ndërtimin e kapaciteteve në jug, ndërsa në Veri të vendit duhet të merret me sigurinë dhe zbatimin e dialogut Kosovë-Serbi”.

EULEX do të merret me hetimin e krimeve të rënda, ndërsa hetime të reja do të mund të nisin edhe prokurorë vendas, mirëpo misioni evropian për sundim të ligjit do t’i vëzhgojë këta të fundit.

Ky burim ka thënë se sot ka filluar puna në përgatitjen e planit operativ për ndryshimin e mandatit, ndërsa në fillim të qershorit, pritet që ky plan të votohet nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

Në bazë të këtij dokumenti, thuhet se EULEX do të mund të nisë hetime edhe në rast se një gjë e tillë i kërkohet nga organet e drejtësisë së Kosovës.  

Edhe pse Qeveria dhe skena politike në përgjithësi kanë qenë kundër vazhdimit të mandatit të EULEX, BE ka konstatuar se ky mision duhet të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë, pasi që është konstatuar se institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë janë ende të pa qëndrueshme.

Sipas këtij raporti, thuhet se prokurorët dhe gjykatësit, janë të kërcënuar dhe frikësuar që të merren me raste të rënda.

Në të njëjtën kohë, shtetet anëtare të BE-së kanë vlerësuar se EULEX do të merret edhe me raste si tregtia e drogës, dhe “shpëlarja e parave” në Kosovë, që sipas tyre, vazhdon të kërcënojë sigurinë e BE-së.

Kjo, sipas këtij burimi, është problem në dialogun që BE po e zhvillon me Qeverinë e Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave.